Konferenca që “nervozoi” Klopp-in/ Episodi i pazakontë ndodhi pas ndeshjes me Toulouse
Një episod i pazakontë ndodhi në sfidën Tuluz-Liverpul në Europa Ligë. Trajneri i skuadrës angleze, Jurgen Klop u detyrua të mbajë konferencën për shtyp pas ndeshjes jashtë stadiumit.

Liverpool pësoi një disfatë të papritur ndaj Toulouse 3-2, në ndeshjen për llogari të fazës së grupeve të Europa League. Donnum, Dallinga e Magri ndëshkuan tri herë gjigandët anglez, ndërsa për miqtë autogoli i Casseres dhe goli i Diogo Jotës vlen vetëm sa për statistikë, pasi ‘të kuqtë’ nuk shmangën dot humbjen e parë në grupin E.
Ndërkohë, siç është bërë e zakonshme, pas ndeshjes në konferencë për shtyp dalin trajnerët apo lojtarë nga të dyja skuadrat. Por për Jurgen Klopp, teknikun e Liverpool dalja përpara medieve, pas duelit me Toulouse ishte e pazakontë.
Klopp ka qenë shumë i nervozuar në konferencën e pazakontë për shtyp, pasi u mbajt jashtë stadiumit të skuadrës franceze.
E teksa po mbante fjalimin e tij, në sfond dëgjoheshin brohorimat dhe koret e tifozëve vendas, gjë që e bëri nervoz trajnerin e Liverpool.
“E kujt ishte ideja për të bërë këtë konferencë për shtyp këtu? Kjo do të ishte me të vërtetë një pyetje shumë interesante”, u shpreh Klopp gjatë momentit që po jepte deklaratën e tij.
56-vjeçari bëri kritika të mëdha për organizimin e konferencës për shtyp, pasi mezi i dëgjonte pyetjet dhe përkthimet e tyre.
Ndërkohë, përballja e radhës e Liverpool në Ligën e Europës do të jetë ndaj austriakëve të LASK, në ‘Anfield’.



