Kolumbia mposht 3-1 Uzbekistanin dhe merr kreun e grupit!

Kolumbia mposht 3-1 Uzbekistanin dhe merr kreun e grupit!

Kolumbia fitoi 3-1 kundër Uzbekistanit mëngjesin e kësaj të enjteje me kohën shqiptare në Grupin K të Kupës së Botës 2026. Në Mexico City ekipi nga Amerika Latine e nisi aventurën këtë edicion duke mposhtur uzbekët debutues në një event të tillë. Paçka humbjes, Uzbekistani që drejtohet nga Fabio Cannavaro tregoi cilësi dhe ia doli të shënonte një gol.

Tanimë të 12-ta grupet i kanë zhvilluar ndeshjet e para.


Në 'Azteca' u desh minuta e 40-të që Kolumbia të gjente golin e parë me Daniel Munoz, kjo pas asistit të Luiz Diaz. Uzbekistani i befasoi të gjithë në debutimin e tyre në një Kupë Bote, teksa barazoi në minutën e 60-të me Abbosbek Fayzullaev. Vetëm pesë minuta zgjati barazimi pasi Kolumbia u hodh në sulm dhe gjeti golin e dytë me yllin e saj, Luiz Diaz.

Në shtesën e nëntë kishte vend edhe për golin e tretë të Kolumbisë me autor Jaminton Campaz, i futur në pjesën e dytë në vend të James Rodriguez.

Pas ndeshjeve të para në Grupin K, Kolumbia merr kreun me tre pikë, duke lënë pas Kongon dhe Portugalinë me nga një pikë, teksa Uzbekistani ka zero pikë. Në ndeshjet e radhës në këtë grup, Portugalia do të përballet me Uzbekistanin më 23 qershor, ndërsa Kolumbia luan me Kongon më 24 qershor.

EMISIONET