Irani përplaset me organizatorët e Botërorit 2026/ Ankesë në FIFA për kufizime udhëtimi dhe trajtim të pabarabartë

Irani përplaset me organizatorët e Botërorit 2026/ Ankesë

Federata e Futbollit e Iranit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA, duke ngritur shqetësime serioze mbi kufizimet e udhëtimit që, sipas saj, po dëmtojnë përgatitjen e kombëtares gjatë Botërorit 2026.

Kontestimi vjen pas një incidenti të fundit përpara ndeshjes kundër Belgjikës, ku autoritetet amerikane refuzuan kërkesën e ekipit iranian për të udhëtuar nga Meksika drejt Los Anxhelosit dy ditë më herët. Sipas federatës, kjo do t’u kishte dhënë lojtarëve kohë të mjaftueshme për pushim dhe përshtatje me kushtet lokale.

Në reagimin zyrtar, Federata Iraniane e Futbollit theksoi se raste të tilla nuk janë të izoluara. Edhe më parë, përpara përballjes me Zelandën e Re, skuadra ishte detyruar të udhëtonte vetëm një ditë para ndeshjes, duke kufizuar përgatitjen optimale.

“Ky trajtim bie ndesh me parimin e barazisë për të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe ndikon drejtpërdrejt në aspektin teknik të garës”, thuhet në deklaratë, ku konfirmohet edhe depozitimi i ankesës në FIFA.

Për shkak të këtyre vështirësive, të cilat Irani i lidh me kufizimet diplomatike nga SHBA, kombëtarja ka vendosur bazën e saj në qytetin meksikan të Tijuanës, pranë kufirit amerikan, për të lehtësuar lëvizjet.

Problemet shkojnë përtej logjistikës. Autoritetet iraniane pretendojnë se 15 lojtarëve dhe disa anëtarëve të stafit u është refuzuar hyrja në SHBA, ndërsa një pjesë e biletave të tifozëve iranianë janë anuluar, duke kufizuar mbështetjen në stadiume.

Tensionet janë shtuar edhe më tej pas raportimeve për pengesa në lëvizjen e disa futbollistëve, përfshirë edhe sulmuesin Mehdi Taremi, duke e bërë këtë Botëror një sfidë jo vetëm sportive, por edhe politike për përfaqësuesen iraniane.

EMISIONET