Botërori 2026/ Infantino “thumbon” Italinë: Batuta që ndezi debat

Gianni Infantino ka shkaktuar reagime me një batutë ironike gjatë një interviste televizive në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës 2026 në Mexico City.
Presidenti i FIFA-s, i ftuar në kanalin brazilian “CazéTV”, foli për zgjerimin e mundshëm të turneut, duke përmendur me ironi edhe mungesën e Italisë në Botëror.
“Me 64 skuadra ndoshta edhe Italia do të kualifikohej… madje mund të shkojmë deri në 208 për ta parë nëse ia del,” u shpreh Infantino me një buzëqeshje, duke ndezur menjëherë debat në rrjet dhe në media.
Deklarata është interpretuar si një thumb ndaj Italisë, e cila vijon të përjetojë një periudhë të vështirë pas mungesave të njëpasnjëshme në fazat finale të Botërorit.
Debati për zgjerimin e Botërorit
Infantino gjithashtu komentoi formatin e zgjeruar të turneut me 48 skuadra, duke lënë të hapur mundësinë e diskutimeve për zgjerim të mëtejshëm në të ardhmen.
Ndërkohë, ideja për një Botëror me 64 skuadra – e propozuar më herët nga CONMEBOL për edicionin e 2030-ës – është përballur me kundërshtime të forta nga UEFA dhe pengesa logjistike, duke u konsideruar aktualisht si e paqëndrueshme.
Reagime dhe polemika
Batutat e Infantinos kanë hapur debat të ri mbi kufirin e zgjerimit të turneut dhe cilësinë e ndeshjeve, me kritikët që paralajmërojnë se rritja e numrit të skuadrave mund të ulë nivelin konkurrues të Kupës së Botës.

