Infantino "pushton" Botërorin me avion privat! 66 orë në ajër gjatë fazës së grupeve…

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të kritikave pasi, sipas një analize të BBC Verify mbi të dhënat e Flightradar24, ka ndjekur 24 ndeshje të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026 duke udhëtuar me avion privat nëpër Amerikën e Veriut.
Sipas raportit, Infantino është fotografuar në stadiumet e 15 nga 16 qytetet pritëse të turneut. Edhe pse FIFA nuk ka konfirmuar zyrtarisht përdorimin e avionit privat, të dhënat e fluturimeve përputhen me lëvizjet dhe prezencën e tij në stadiume.
Presidenti i FIFA-s ka kryer deri në tre fluturime brenda së njëjtës ditë, duke kaluar më shumë se 66 orë në ajër. Fluturimi më i shkurtër ishte vetëm 148 kilometra, nga Philadelphia në Teterboro, ndërsa më i gjati mbi 4.500 kilometra, nga Vancouver në Miami.
Sipas vlerësimeve të BBC Verify, ndikimi klimatik i këtyre udhëtimeve është i barabartë me emetimet mesatare vjetore të 78 personave.
Zbulimi vjen në një kohë kur FIFA ka promovuar objektivat e saj mjedisore për Botërorin 2026, duke premtuar uljen e emetimeve përmes grumbullimit rajonal të skuadrave, përdorimit të transportit publik, automjeteve elektrike dhe stadiumeve ekzistuese.
Në një reagim për BBC-në, FIFA deklaroi se udhëtimet e Infantinos organizohen "bazuar në zgjidhjen më efikase dhe me koston më të ulët në rrethanat përkatëse". Ndërkohë, vetë Infantino ka deklaruar më herët se FIFA është e angazhuar të luajë rolin e saj në mbrojtjen e klimës dhe çështje të tjera globale.

