Hamilton mbështet Vasseur-in: Është njeriu i duhur për të na rikthyer në majë

Hamilton mbështet Vasseur-in: Është njeriu i duhur për

Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote në Formula 1, ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e tij të plotë për Frederic Vasseur, drejtuesi aktual i skuadrës Ferrari.

Edhe pse në mesin e sezonit 2025 ende nuk ka një konfirmim zyrtar për të ardhmen e Vasseur-it nga ana e drejtuesve të Ferrarit, britaniku nuk ka dyshime për aftësitë e tij.

“Besoj se Fred është vërtet njeriu i duhur për të na kthyer në majë,” deklaroi Hamilton gjatë një interviste për televizionin britanik Channel 4.

“Për këtë arsye po jap gjithçka për ta mbështetur dhe për të ndihmuar në sjelljen e ndryshimeve që janë të nevojshme dhe nuk janë të pakta.”

Fjalët e Hamilton-it përforcojnë ato që ai kishte thënë edhe pak javë më parë, përpara Çmimit të Madh të Kanadasë, ku kishte theksuar: “E adhuroj të punoj me Vasseur-in.

Ai është arsyeja pse jam këtu dhe duam të ecim përpara së bashku. Ka mbështetjen time të plotë. Fred më solli në këtë skuadër dhe për këtë i jam shumë mirënjohës.”

Hamilton shtoi se, kur vjen në një skuadër të re, është më e lehtë të dallosh strukturat, funksionimin dhe të shohësh qartë si pikat e forta ashtu edhe problemet që duhen adresuar.

Pikërisht për këtë, ai e sheh Vasseur-in si figurën e duhur për të udhëhequr Ferrarin drejt lavdisë që pritet prej vitesh nga tifozët.

EMISIONET