Francë-Marok/ Halili: Franca nuk ka rival në letër, por ndeshjet vendosen në fushë

Franca shihet si favoritja absolute përballë Marokut në përballjen e radhës të Botërorit, por futbolli ka treguar se në fazat me eliminim direkt gjithçka mund të vendoset nga karakteri, përqendrimi dhe episodet e lojës.
I ftuar në rubrikën “Sport Focus” në “Ora News”, gazetari sportiv Erjon Halili analizoi sfidën, duke theksuar forcën e skuadrës franceze, por edhe mundësitë që ka Maroku për të surprizuar.
Sipas Halilit, Franca ka një organikë jashtëzakonisht të pasur dhe një stol që mund të bëjë diferencën në çdo moment të ndeshjes.
“Tek Franca të gjithë meritojnë të luajnë titullarë. Edhe kur trajnerit i duhet të ndryshojë diçka, ka gjithmonë lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën nga stoli. E treguan edhe ndaj Paraguajit, ku një zëvendësim ndikoi drejtpërdrejt në rezultat”, u shpreh ai.
Megjithatë, gazetari theksoi se në këtë fazë të Botërorit emri dhe cilësia në letër nuk janë vendimtare.
“Në letër Franca nuk ka rival, jo vetëm në këtë çerekfinale, por edhe në gjithë Botërorin. Por ndeshjet nuk fitohen në letër, duhen luajtur në fushë. Në këto momente vendos karakteri, përqendrimi dhe mënyra se si skuadrat shfrytëzojnë episodet”, tha Halili.
Ai solli si shembull disa nga përballjet e fazës së mëparshme, ku skuadrat favorite kanë hasur vështirësi dhe ku një moment i vetëm ka ndryshuar fatin e ndeshjes.
Duke folur për Marokun, Halili vlerësoi disiplinën dhe forcën psikologjike të skuadrës afrikane.
“Maroku mund të pretendojë sepse është një skuadër me karakter shumë të fortë, e disiplinuar dhe me lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Ata dinë të presin momentin e tyre dhe të godasin kundërshtarin”, deklaroi ai.
Sipas tij, avantazhi psikologjik mund të jetë në anën e Marokut, pasi nuk ka presionin e një eliminimi të rëndë.
“Nëse minutat kalojnë me rezultatin 0-0, presioni rritet tek futbollistët francezë. Ata janë favoritët dhe do të kritikohen nëse eliminohen. Për Marokun, çdo minutë që kalon pa pësuar gol rrit besimin”, u shpreh Halili.
Megjithatë, ai nuk e sheh ndeshjen të vendoset te penalltitë, duke theksuar superioritetin e Francës.
“Realistisht e shoh Francën shumë të fortë këtë vit. Një nga avantazhet më të mëdha është stoli. Kur trajneri sheh lojtarë të nivelit të titullarëve që futen në minutat e fundit, ata kanë edhe freskinë që mungon te kundërshtari dhe mund të bëjnë diferencën”, përfundoi ai.
Përballja Francë-Marok pritet të jetë një duel mes favoritit të madh dhe një skuadre që ka befasuar me karakterin dhe organizimin e saj.
Ndërsa Franca kërkon të konfirmojë statusin e pretendentit kryesor, Maroku synon të shkruajë një tjetër kapitull historik në Botëror.
Erjon Halili: Të gjithe meritonin të luanin titullar, luajnë ata që luajnë, por edhe kur trajnerit i duhet të ndryshojë diçka ka gjithmonë lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën nga stoli, së fundmi e treguan edhe me Paraguajin që erdhi Dezire Due nga stoli dhe fitoi penalltinë që vendosi ndeshjen më pas. Pra ka element, në letër Franca nuk ka rival jo vetëm në këtë çerekfinale por në letër nuk ka rival edhe në gjithë Botërorin po themi.
Megjithatë e bukura e futbollit është që ndeshjet nuk fitohen në letër, duhen luajtur në fushë dhe kur shkon në këtë fazë të kampionatit ku gjithçka vendoset me një ndeshje tek, nuk bën më diferencën emri apo cilësia, por bën diferencën karakteri, mënyra se si ti e trajton atë nën 90 minutësh, sa i përqendruar luan, sa i vëmendshëm je ndaj detajeve dhe sa arrin të shfrytëzosh dhe të kthesh në favorin tënd çdo episod të ndeshjes.
Dikush, një skuadër mund të ketë 10 raste për shënim dhe duke mos pasur përqendrimin e duhur ose fatin me vete nuk ia del, nga ana tjetër një skuadër tjetër mund të shkojë me një rast të zgjidhi të shënojë të fitojë ndeshjen. Ne pamë në ndeshjet e një të tetave dhe pamë Zvicrën që vuajti jo pak me Kolumbinë, megjithatë arriti të mbajë rezultatin ta çojë në shtesë me penallti dhe aty u kualifikua.
Kemi parë Egjiptin që ishte pranë një mrekullie, pavarësisht se ishte Argjentina ajo që bënte lojën dominonte lojën, shkoi 0 me 2 mund të kishte shkuar edhe në ndonjë rezultat më të thellë, ta kishte mbyllur takimin, por më pas ishte e pafat në fund dhe u kualifikua Argjentina sigurisht duke mos vjedhur asnjë gjë. Por vlen të theksohet që jemi në një fazë ku duhet të ketë shumë element, duhet që një skuadër të bëjë sukses, pra të kalojë në raundin tjetër, duhet të tregojë karakter të fortë, të luajë me përqendrim maksimal dhe të shpresojë që të ketë edhe fatin apo episodet e ndeshjes me vete.
Patjetër që mund të pretendojë sepse, siç e thamë, është skuadër që ka karakter shumë të fortë, është një skuadër që luan shumë mirë e disiplinuar.
Ka në çdo repart nga një apo dy lojtarë që bëjnë diferencën, që mund të zgjidhin ndeshjen në momente të caktuara dhe dinë, dinë të luajnë në këto përballje. Dinë të presin dhe të presin momentin e tyre domethënë, të presin mbrapa dhe të presin momentin e tyre për të goditur kundërshtarin. Dhe të mos harrojmë që Maroku, qoftë ndaj Holandës, qoftë ndaj Francës, futet edhe me një bonus të madh, bonusi psikologjik i të qenurit 'underdog'-ut le të themi, ose skuadra jo favorite. Sepse, kur minutat kalojnë, duhet ta shohim dhe sonte, nëse minutat kalojnë me rezultatin 0 me 0, presioni rritet tek futbollistët francezë. Janë ata që do të kritikohen nëse eliminohen, askush nuk do të thotë asnjë fjalë për Marokun .
Sepse në fund të fundit fare nuk është as turp as për t'u ndjerë keq të të eliminojë Franca. Kjo Francë që siç e thamë është absolutisht favorit absolut e këtij botërori. Kështu që me kalimin e minutave, francezët do të jenë ata që do të nervozohen sepse nuk e duan një rezultat 0-0 ku nga momenti në moment mund të pësojnë ndonjë gol që i nxjerr jashtë ose mund të shkojnë në penallti dhe të jenë të pafat, pra nuk e duan 0-0 sepse do të bjerë një valë kritikash mbi ta pastaj që u eliminuan nga Maroku.
Nga ana tjetër për Marokun mund të shkojnë gjërat në aspektin pozitiv sepse fillojnë me kalimin e minutave të ndjejnë besimin, të ndjejnë që mund ta mbajnë deri në fund, kështu që gjithmonë skuadrat që nuk kanë presionin e të shkuarit më tej apo të fituarit të kampionatit, kanë favor në të tilla ndeshje. 90 minuta, në çdo minutë që kalon, presioni shtohet tek favoriti dhe bie tek kundërshtari. Pra kundërshtari fillon të luajë më lirshëm në çdo minutë që kalon, sepse thotë, tani kam një minutë më pak për të mbrojtur këtë 0-0, pastaj kam dhe pesë minuta më pak, 10 minuta më pak dhe rritet psikologjikisht.
Nga ana tjetër, ndodh e kundërta tek skuadrat favorite, të cilat thonë, kam dhe pesë minuta më pak për të shënuar gol, kam dhe 10 minuta më pak për të shënuar dhe presioni të bën pastaj që edhe ato mundësi që mund t'i krijosh t'i gabosh, të mos i shfrytëzosh siç duhet. Jo, nuk e shoh te penalltitë. Realisht e shoh Francën shumë, shumë të fortë këtë vit dhe favori i Francës, sepse thamë janë pesë ndërrime dhe stoli bëhet shumë vendimtar.
Kur trajneri hedh sytë nga stoli dhe shikon elementë që mund ta nisnin fare mirë ndeshjen si titullarë dhe ata futen në fushë, që përveç cilësive që i kanë njësoj si titullarët, kur futen në minutën e 60, 70 kanë në favor të vet edhe freskinë që mbrojtja kundërshtare nuk e ka më. Kështu që arrijnë të bëjnë diferencën. Ne e pamë që Brazili e vuajti me Norvegjinë.

