Sulmi me 20 kg ekspl*ziv në Ibër-Lepenc/ Prokuroria zbardh DETAJET: Dëmet arrijnë deri në 376 mijë e 774 euro

Të akuzuarit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ka nisur shqyrtimi i çështjes për ngjarjen e 29 nëntorit 2024.
Në seancën e sotme është paraqitur fjala hyrëse e Prokurorisë, e cila ka paraqitur akuzat ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, si dhe Igor Dimoviç, të cilët dyshohen për përfshirje në sulmin ndaj një prej infrastrukturave të rëndësishme në Kosovë.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit.
Prokuroria pretendon se eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni, me qëllim dëmtimin e kanalit që shërben për furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale që arrijnë në rreth 376 mijë e 774 euro.
Në hetimin e rastit kanë kontribuar edhe agjentë të FBI-së, të cilët kanë analizuar prova të mbledhura gjatë hetimeve. Sipas Prokurorisë, mostrat e dheut të marra nga çizmet e sekuestruara të të pandehurve kanë përputhje me mostrat e marra pranë vendit ku ndodhi shpërthimi.
Të akuzuarit, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, si dhe Igor Dimoviç, po mbrohen në gjendje të lirë dhe nuk e kanë pranuar përfshirjen në sulm.
Prokuroria ka ngritur dyshime se pas organizimit të sulmit qëndrojnë persona të tjerë dhe ka pretenduar se drejtimi i tij lidhet me Beogradin. Procesi gjyqësor do të vijojë me paraqitjen e provave dhe dëshmive nga palët.


