Krimet brenda familjes/ Avdyli: Humbën bashkëshortin dhe djalin, por shpëtuan familjen. Zgjodhën ndërmjetësimin

Një konflikt familjar i lindur pas një tragjedie të dyfishtë ka gjetur zgjidhje përmes ndërmjetësimit, pa kaluar në një proces të gjatë gjyqësor.

Historia e dy grave të së njëjtës familje, të përballura me humbje të mëdha personale, është sjellë në vëmendje si një shembull i rëndësisë së zgjidhjes alternative të konflikteve.

E ftuar në një lidhje direkte për Ora News, ndërmjetësuesja Drita Avdyli ka treguar se rasti kishte në qendër dy gra që jetonin në të njëjtin ambient familjar, por dhimbja dhe tensionet pas humbjeve kishin krijuar një situatë të vështirë për të dyja palët.

"Njëra kishte humbur bashkëshortin, tjetra kishte humbur djalin. Të dyja ishin përballur me një nga fatkeqësitë më të mëdha, por jeta duhej të vazhdonte më tej. Duhej gjetur një zgjidhje për këto dy gra dhe për fëmijët e kësaj familjeje. Këtë konflikt e zgjidhëm përmes ndërmjetësimit, me ndihmën edhe të prokurorisë."-tha ajo.

Sipas Avdylit, ndërmjetësimi nuk kufizohet vetëm në rastet kur palët ende nuk kanë shkuar në gjykatë, por mund të përdoret edhe gjatë një procesi gjyqësor apo kur është parashikuar në marrëveshje mes palëve.

"Ndërmjetësimi ka tre raste kryesore. Mund të bëhet përpara se çështja të shkojë në gjykatë, kur gjyqtari i referon palët gjatë procesit, ose kur kjo është parashikuar në kontrata mes shoqërive. Në këto raste, pa kaluar më parë në ndërmjetësim, çështja nuk shqyrtohet."-u shpreh Avdyli.

Ndërmjetësimi shihet si një mënyrë që synon jo vetëm zgjidhjen e një konflikti, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve mes palëve. Ndryshe nga një vendim gjykate, ku njëra palë fiton dhe tjetra humbet, kjo procedurë synon një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

EMISIONET