FOTO/ Haaland mbërrin në Oslo me një “udhëtar” të pazakontë

Erling Haaland ka tërhequr sërish vëmendjen jashtë fushës, këtë herë jo për golat, por për një suvenir të pazakontë që mori me vete pas aventurës së Norvegjisë në Kupën e Botës.
Sulmuesi norvegjez mbërriti në Oslo me kombëtaren e tij duke mbajtur në duar një rakun të preparuar, i shoqëruar me një shishe uiski, një blerje që u kthye menjëherë në një nga momentet më të komentuara të kthimit të ekipit.
Haaland publikoi një fotografi në rrjetet sociale ku shfaqej me suvenirin dhe me një përshkrim humoristik: “Më ndoqi deri në shtëpi”. Postimi mori mijëra reagime, ndërsa tifozët nisën të komentojnë zgjedhjen e veçantë të sulmuesit.
Sipas mediave të huaja, rakuni ishte blerë në një dyqan në Dallas, gjatë qëndrimit të Haaland në Shtetet e Bashkuara, dhe kishte një vlerë rreth 650 euro. Pas vëmendjes së madhe që mori futbollisti, produkti u shit plotësisht, ndërsa dyqani e cilësoi vizitën e tij si një moment të veçantë.
Por përveç suvenirit, Haaland u vu re edhe për stilin e tij. Ai u shfaq me një çantë luksoze të markës Dolce & Gabbana, duke shtuar edhe një herë vëmendjen ndaj interesit të tij për modën dhe aksesorët e shtrenjtë.
Sulmuesi i Manchester City njihet për pasionin ndaj artikujve luksozë dhe koleksionin e çantave të markave prestigjioze, ku përfshihen edhe modele të rralla të markës Hermès Birkin.
Në fushë, Haaland pati një paraqitje të spikatur me Norvegjinë. Ai e mbylli Kupën e Botës me shtatë gola, duke qenë figura kryesore e ekipit gjatë rrugëtimit deri në çerekfinale.



