Ferrari më në fund fiton/ “Kokëkuqja” triumfon papritur në Çmimin e Madh britanik

Ferrari më në fund fiton/ “Kokëkuqja” triumfon

Një dramë, një tronditje dhe një fat krejt i kundër. Çmimi i Madh i Formula 1 në Britaninë e Madhe meritoi të krahasohej me një film nga ata të ankthit deri në horror, ndërsa përmbysjet nisën që në metrat e para dhe nuk ndaluan deri në fund.

Ferrari u kthye tek fitorja tri javë pasi ia doli edhe në Spanjë, ndonëse emri i fituesit ishte i ndryshëm. Këtë herë, Sharl Lëklerk nga Principata e Montekarlos, ndërsa në 14 qershor ia doli anglezi Ljuis Hamilton.

Dyshja e “kokëkuqes” italiane e lanë pas yllin e ri të Formula 1, Kimi Antonelin që u vonua në start me Mercedesin e tij. Gjithsesi, shtatë herë kampioni I botës u nis fare pak përpara kohe dhe u dënua me 5 sekonda ndalesë, që e shleu kur ndërroi gomat.

Duelet ishin të forta dhe parakalimet të shumta, për shkak edhe të ndryshimeve në makinat e këtij sezoni. Antoneli arriti shpejt në vendin e dytë, dhe u desh kohë e gjatë për të kaluar edhe Lëklerkun.

Nga ana tjetër, katër herë kampioni I botës, Maks Verstapen, sërish e pati të vështirë. “Holandezi fluturues” nuk ka më Red Bullin që dominonte, dhe u detyrua të zbriste në hierarki edhe pse luftoi fort.

Pa u mbushur 50 xhiro humbi kontrollin dhe doli nga gara. Drama u bë e plotë kur Antoneli pati probleme mekanike në makinë dhe humbi jo vetën vendin e parë, por edhe mundësinë për pikë.

Përfitoi Ferrari me Lëklerkun të parin e Hamiltonin të tretin, ndërsa Rasëll i Mercedesit doli i dyti. Pas 9 garave këtë sezon, Antoneli sërish kryeson me 179 pikë, por Rasëll është vetëm 25 pikë prapa, dhe Hamilton 32. Për skuadrat, Mercedes kryeson me 333 pikë ndaj 255 të Ferrarit.

EMISIONET