Qeveria “hap thesin” për bizneset, Rama prezanton programin për përgatitjen e biznesit për integrimin në BE

Qeveria “hap thesin” për bizneset, Rama prezanton programin

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Prezantimin e Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian dhe së bashku me komunitetin e biznesit u prezantua mbështetja dhe mundësitë që programi sjell për përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare drejt Tregut Unik Europian.

Bëhet fjalë për një plan të ri dhe ambicioz, që sipas Ramës pritet të ndryshojë tërësisht mënyrën se si operojnë bizneset në Shqipëri, duke premtuar mbështetje financiare të pakufizuar për çdo ide bindëse.

Përmes një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë akses në kredi me interesa të ulëta. Sipas burimeve zyrtare, nuk do të ketë një tavan fiks financimi; fondet do të shtohen në varësi të nevojave dhe fluksit të kërkesave nga vetë kompanitë.

Përtej parave, plani përfshin asistencë të detajuar për hartimin e planeve të biznesit dhe përgatitjen e aplikimeve.

Rama tha se një vëmendje e veçantë i është kushtuar ekosistemit të startupeve, ku buxheti i programit "Startup Albania" është dyfishuar pas një rritjeje rekord të aplikimeve, të cilat nga më pak se 100 kaluan në mbi 1200 këtë vit.

Kryeministri u zotua se rritja e mbështetjes do të vazhdojë të jetë proporcionale me rritjen e kërkesave.

Strategjia e re industriale dhe ajo kombëtare e eksporteve janë dy shtyllat e tjera që synojnë ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve shqiptare, duke i përgatitur ato për tregun e madh europian.

Në këtë kuadër, është shpallur objektivi masiv për të informuar individualisht rreth 48,000 ndërmarrje në të gjithë vendin. Me ndihmën e ekspertizës së UNDP-së, do të ngrihet një platformë kombëtare dhe një rrjet ekspertësh e konsulentësh që do të organizojnë qindra trajnime sektoriale për standardizimin dhe certifikimin sipas normave të Bashkimit Europian.

Universitetet do të luajnë një rol thelbësor në këtë proces, pasi theksohet se sipërmarrja do të ketë nevojë urgjente për dije dhe informacion. Synimi final është integrimi në Bashkimin Europian, një proces i përshkruar si momenti kur kufijtë ekonomikë zhduken dhe rregullat e lojës ndryshojnë tërësisht.

Kjo do të thotë se paralelisht me mundësitë e pafundme, bizneset shqiptare do të përballen me standarde shumë më kërkuese dhe një konkurrencë të drejtpërdrejtë europiane.

Për të amortizuar rreziqet dhe për t'i paraprirë kësaj sfide, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit pritet të lançojë së shpejti një faqe interneti të dedikuar. Ky portal do të shërbejë si një dritare informacioni në kohë reale për të gjitha kompanitë, duke iu ofruar mjetet e nevojshme për të mbijetuar dhe për të qenë konkurruese në tregun e lirë të Europës.

PJESË NGA FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Do ketë financimin me mbështetjen e qeverisë shqiptare, falë linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjes që ne kemi bërë me bankat e nivelit të dytë për interesa të ulëta dhe financim domethënë. Dhe ne nuk do të ndalemi tek një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar.

Nëse do të ketë nevojë për më shumë, ne do bëjmë më shumë. Ne do vëmë në dispozicion më shumë. Nuk do ndalemi. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje të vogël e të mesme që do të paraqesë një ide bindëse dhe një plan të besueshëm që nuk do të mbështetet financiarisht. Por, pikërisht për ta lehtësuar këtë proces midis idesë dhe financimit, do të shërbejë edhe asistenca për përgatitjen e planeve të biznesit, për përgatitjen e aplikimeve.

Një tjetër aspekt në këtë rrugëtim është aspekti i rritjes dhe fuqizimit të sistemit të startupeve në Shqipëri. Kemi dyfishuar para pak ditësh financimin për të rinjtë e të rejat që kanë aplikuar në programin Startup Albania. Aplikimet kanë nisur përpara disa vitesh me më pak se 100 dhe këtë vit kaluan 1000, mbi 1200. Dhe ne dyfishuam financimin dhe ju kemi thënë atyre të rinjve dhe të gjithë të rinjve e të rejave që janë në atë botë që ne do të rrisim financimin në mënyrë proporcionale me rritjen e aplikimeve.

E tha ministrja, hartimi i strategjisë industriale të Republikës së Shqipërisë, që do të orientojë zhvillimin në prioritete me potencial të lartë, konkurrueshmërie dhe për produktivitet më të lartë, si dhe hartimi i strategjisë kombëtare të eksporteve... për të mbështetur pikërisht ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve tona, janë dy, janë dy qasje ndaj dy komponentëve shumë të rëndësishëm të këtij momenti. Në ndërkohë, çfarë synojmë ne me këtë program që po paraqesim në aspektin e masës që programi do të prekë.

Duam të informojmë 48,000 ndërmarrje në të gjithë vendin. Një për një, për një, për një. Duam të ngremë bashkërisht një platformë kombëtare të mbështetjes së biznesit dhe të krijojmë rrjetin kombëtar të ekspertëve dhe të konsulencës dhe për këtë përsëri do të na ndihmojë mbështetja me ekspertizë e UNDP-së.

Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh sektoriale. Duam që të rrisim standardizimin dhe certifikimin sipas standardeve të BE-së dhe natyrisht në fund konkurrueshmërinë. Patjetër që ka një komponent të domosdoshëm që do të përfshihet në këtë proces që janë universitetet. Kemi nevojë për dije. Sipërmarrja ka nevojë për dije. Ky proces ka nevojë për dije. Dhe mbi të gjitha, të gjithë së bashku kemi nevojë për informim, për të kuptuar saktësisht çfarë vjen me përfshirjen në tregun e madh të përbashkët europian.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian me fjalë shumë të thjeshta është: Shqipëria bëhet sa BE-ja dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria. Në sensin që nuk je më një sipërmarrës brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, por je një sipërmarrës brenda kufijve të Bashkimit Europian. Vlejnë për ty njësoj rregullat dhe standardet e Bashkimit Europian, edhe pse mund të jenë më imponuese dhe më kërkuese sesa ato që ke sot, por vlejnë për ty po ashtu njësoj edhe shanset në hapësirën e lirisë së konkurrencës në Bashkimin Europian.

Është një sfidë e madhe që vjen me mundësi të mëdha dhe si çdo sfidë e madhe me mundësi të mëdha ka dhe rreziqe të mëdha. Prandaj ne duam t'i dalim përpara sa më shumë rreziqeve për kompanitë dhe ndërkohë duam t'i japim kompanive sa më shumë elementë në dispozicion për të fituar sfidën.

Ky është programi dhe besoj që bashkërisht do t'ia dalim, në ndërkohë që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përgatisë një ëebsite të dedikuar për të gjithë këtë program dhe për të mbajtur të informuara të gjitha sipërmarrjet në kohë reale, duke njëkohësisht mbajtur të hapur një dritare për të gjitha interesat.

EMISIONET