"DAKU, MË I MIRI NË RUSI"/ Trajneri i Rubin Kazanit flet me superlativa për sulmuesin e Kombëtares
Trajneri i Rubin Kazanit, Frank Artiga ka folur me superlativa për Mirlind Dakun. Tekniku i cili stërvit lojtarin e Kombëtares shqiptare tha se ai është sulmuesi më i mirë i kampionatit rus dhe se ata janë me fat që e kanë pjesë të skuadrës.

Mirlind Daku është sulmuesi më i mirë i kampionatit rus të futbollit. Këtë gjë e pohoi trajneri i tij te Rubin Kazani, Frank Artiga. Trajneri spanjoll i skuadrës nga Kazani nuk i kurseu vlerësimet pozitive dhe elozhet për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, duke e cilësuar atë si më të mirin në Rusi.
“Mirlind Daku është sulmuesi më i mirë i kampionatit rus. Ai bën diferencën në çdo ndeshje dhe ne jemi vërtet me fat që e kemi pjesë të skuadrës”, u shpreh Artiga.
Vlerësimi vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, teksa Daku mbetet një nga lojtarët kyç të skuadrës, pavarësisht se aktualisht po kalon një periudhë riaftësimi.
Trajnreri Artiga theksoi rëndësinë që ‘bomberi kuqezi’ ka në lojën dhe rezultatet e Rubin Kazanit.
Aktualisht, Daku nuk ka nisur ende fazën përgatitore me ekipin, për shkak të disa problemeve fizike. Megjithatë, stafi mjekësor i klubit është optimist dhe rikthimi i tij në fushë pritet gjatë javës së ardhshme, çka do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Rubin-in në vazhdimësinë e sezonit.
28-vjeçari është shndërruar në një nga liderët e skuadrës ruse, duke mbajtur peshën kryesore të repartit sulmues. Edhe në këtë edicion, Daku ka treguar vazhdimësi dhe efikasitet përpara portës.
Në 17 ndeshje të zhvilluara deri më tani në elitën e futbollit rus, gjilanasi ka realizuar 9 gola, duke qenë golashënuesi kryesor i ekipit të tij. Po ashtu, ai ka gjetur edhe 1 herë rrugën e rrjetës në Kupën e Rusisë, duke konfirmuar formën e mirë edhe në këtë kompeticion.
Ndërkohë, statistikat e Dakut bëhen edhe më mbresëlënëse nëse kthehemi pas në edicionin e kaluar. Mirlind Daku e mbylli kampionatin rus me 15 gola dhe 6 asistime në 26 ndeshje ku ai u aktivizua. Këto shifra e renditën atë ndër sulmuesit më të spikatur të kampionatit dhe rritën ndjeshëm vlerën e tij në treg.


