Ditën e sotme, Samiti i Sofjes do të mbledhë krerët e rajonit dhe drejtuesit e vendeve kryesore të BE-së për të mbështetur rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për shkak të pandemisë Covid-19, samiti do të zhvillohet online dhe do të drejtohet nga Bullgaria e Maqedonia e Veriut.

Treshja që do të hapë zyrtarisht samitin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit është kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. 

Në seancën plenare që nis në orën 11:25 dhe ku diskutohet Tregu i Përbashkët Rajonal do të flasin të gjithë krerët e delegacioneve, pjesë e procesit të Berlinit.

Kryeministri Edi Rama mësohet se do të mbajë fjalën e tij pas Presidentit francez Emanuel Macron dhe Presidenti të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Vendimi më i rëndësishëm i këtij samiti është krijimi i Tregut të Përbashkët rajonal.

Konferenca e këtij viti zhvillohet nën hijen e mosmarrëveshjeve aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dy vendet  janë edhe organizatoret e këtij samiti. Bullgaria po pengon aktualisht fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për shkak të disa mosmarrëveshje në lidhje me historinë dhe përkatësinë gjuhësore.

Në fillim të javës në Berlin u bënë përpjekje për të ndërmjetësuar midis palëve, por ato përfunduan pa sukses. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, tha në Berlin se po punohet që të arrihet një zgjidhje, si ne Berlin ashtu edhe ne Bruksel.