Policia e Shtetit mendon se Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi është një nga arkitektet e dhunës në kryeqendrën e veriut dhe një nga organizatorët e djegies së selisë së PS. Për këtë arsye blutë kanë proceduar drejtuese vendore dhe pesë persona të tjerë, ku bie në sy prania e emrave të njohur dhe të funksionarëve publik. Por vetë Ademi në një reagim ka hedhur poshtë çdo gjë duke thënë se bëhet fjalë për hakmarrje politike.

Voltana Ademi: Fakti që nuk ndërhyhet dhe përkundrazi është një hakmarrje sot ndaj kryetarit të bashkisë, nuk më bën përshtypje, ka ndodhur dhe më përpara.

Drejtuesja e bashkisë madje tregon dhe telefonatën e bërë me policinë, sipas saj pavarësisht paralajmërimit  efektivët nuk reaguan në kohë. Për këtë motiv Ademi ka dorëzuar dhe një kallëzim penal pranë prokurorisë.

Voltana Ademi: Unë dje kam pasur komunikim të vazhdueshëm. E kam bërë atë me dije publike. Kam dyshime të qenësishme për bashkëpunim dhe të instancave të shtetit, në këtë rast policisë së shtetit, për atë  çfarë ka ndodhur, përndryshe  është i pajustifikueshëm, mos reagimi në Shkodër.

Procedimeve  penale nuk u kanë shpëtuar as zyrtarë të tjerë të Bashkisë të PD madje as  bashkëshorti i Voltana Ademit. Ashtu siç kemi parë edhe në kryeqytet, procedimet ndaj minorenëve nuk kanë munguar as në Shkodër ku për djegien e selisë së PS po hetohen 17 minorenë nën akuzën e shkatërrimit të pronës. Për djegien e selisë rozë në Shkodër policia ka gjetur fajtorë edhe brenda radhëve të zjarrfikëseve ku ka proceduar dy punonjës të këtij reparti