Kerkesat e administrates gjyqësore përfundojnë në sirtarët e KLGJ-së!

Teksa gishti drejtohet shpesh nga administrata për vonesa, problematika apo mosfunksionime të sistemit, ndoshta ka ardhur koha që dikush të ndalet dhe të shohë nga afër realitetin në të cilin kjo administratë punon çdo ditë.
Jo nga zyrat komode. Jo nga raportet optimiste. Jo nga konferencat ku flitet për reformë, standarde europiane dhe suksese institucionale. Por nga zyrat dhe korridoret e gjykatave, aty ku administrata gjyqësore përballet çdo ditë me një ngarkesë të papërshkrueshme pune, me mungesë personeli, me orare të tejzgjatura, me stres të vazhdueshëm dhe me kushte mizorabel që prej kohësh kanë dalë jashtë çdo standardi normal.
Administrata gjyqësore është sot hallka më e pambrojtur, më e diskriminuar dhe më e harruar e sistemit të drejtësisë. Megjithatë, paradoksi është se pikërisht kjo administratë e mban sistemin në këmbë. Pa administratën gjyqësore nuk do të regjistrohej asnjë çështje, nuk do të administrohej asnjë dosje, nuk do të organizohej asnjë seancë, nuk do të respektohej asnjë afat procedural dhe nuk do të materializohej asnjë vendimmarrje gjyqësore.
Prej kohësh janë depozituar kërkesa për ndërhyrje urgjente lidhur me mbingarkesën ekstreme në punë, kushtet e papranueshme të punës, diskriminimin në trajtimin financiar dhe pasojat që kjo situatë sjell mbi shëndetin fizik, shëndetin mendor dhe jetën familjare të punonjësve. Por reagimi institucional ka qenë aq i vakët, sa krijohet përshtypja se këto kërkesa përfundojnë në sirtarë, ose trajtohen sikur të mos kishin asnjë rëndësi.
Nga ana tjetër, sa herë çështjet lidhen me interesat apo kërkesat e trupës gjyqësore, reagimi institucional perceptohet si më i shpejtë, më i organizuar dhe me prioritet. Ky kontrast ngre një pyetje legjitime: a ekzistojnë standarde të ndryshme brenda të njëjtit sistem?
Nëse një kategori dëgjohet menjëherë, ndërsa një tjetër pret me muaj apo vite për një reagim, atëherë nuk flasim më për barazi në trajtim. Flasim për një perceptim të pabarazisë institucionale që dëmton besimin e punonjësve te sistemi.
Nuk mund të flitet për një drejtësi moderne, ndërkohë që njerëzit që e mbajnë atë në këmbë paguajnë çdo ditë me shëndetin e tyre fizik, me shëndetin e tyre mendor dhe me jetën e tyre familjare. Orët e tejzgjatura e të papaguara, ngarkesa jashtë çdo norme, presioni i vazhdueshëm dhe mungesa e mbështetjes institucionale nuk janë më thjesht vështirësi pune; ato janë shkelje serioze e dinjitetit në punë.
Po aq shqetësues mbetet edhe trajtimi financiar. Administrata gjyqësore mban një peshë të jashtëzakonshme për funksionimin e sistemit, por vazhdon të përballet me paga që nuk pasqyrojnë as përgjegjësinë dhe as volumin real të punës. Kërkohen standarde europiane, por ofrohen kushte që janë larg tyre.
Një shtet i së drejtës nuk mund të funksionojë mbi idenë se disa të drejta kanë më shumë vlerë se të tjerat. Të drejtat e njeriut nuk kanë hierarki. Dinjiteti në punë, mbrojtja e shëndetit, trajtimi i barabartë dhe e drejta për t’u dëgjuar nuk duhet të varen nga statusi apo funksioni që mban brenda sistemit.
Sepse drejtësia nuk matet nga mënyra se si trajton më të fuqishmit. Drejtësia matet nga mënyra se si mbron edhe ata që punojnë në heshtje, pa kamera, pa privilegje dhe pa zë, por që çdo ditë mbajnë në këmbë një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit.

