Shenjat për të kuptuar dehidratimin te fëmijët, pediatrja Xhufi tregon se çfarë duhet të dinë prindërit
Në studion e Ora News ishte e ftuar mjekja pediatre Suela Xhufi, e cila foli për një nga shqetësimet më të shpeshta të prindërve gjatë stinës së verës, dehidratimin tek fëmijët dhe mënyrat e thjeshta për ta dalluar në kohë.
Ajo shpjegoi se shpesh fëmijët nuk shfaqin shenja të dukshme edhe kur organizmi i tyre ka mungesë lëngjesh, duke e bërë të vështirë për prindërit, sidomos ata pa eksperiencë, të kuptojnë situatën reale.
Në këtë kontekst, ajo ndaloi te një metodë e thjeshtë klinike që përdoret nga pediatrit.
“Sapo shohim një fëmijë me të vjella, mungesë oreksi, temperaturë dhe diarre të përsëritura, mendojmë menjëherë për rrezikun e dehidratimit. Fëmija mund të duket aktiv, por mund të jetë në gjendje të rënduar pa u kuptuar menjëherë.”-tha mjekja.
Një nga testet bazë që përdoret në praktikë është ai i lëkurës së barkut.
“Pala e barkut na jep një ide të qartë për hidratimin. E kapim lëkurën dhe e lëshojmë. Nëse ajo nuk kthehet menjëherë në formën normale, kemi shenja dehidratimi. Nëse kthehet menjëherë, gjendja është e mirë.”-shtoi ajo.
Mjekja shtoi se shpesh prindërit e nënvlerësojnë gjendjen, pasi fëmijët mund të vazhdojnë të luajnë edhe me temperaturë të lartë.
“Fëmijët nuk e shprehin gjithmonë lodhjen. Mund të jenë me temperaturë të lartë dhe sërish të duken aktivë, ndaj vëzhgimi i kujdesshëm është shumë i rëndësishëm.”-theksoi Xhufi.
Sipas saj, në raste të dyshuara, hapi kryesor mbetet furnizimi i vazhdueshëm me lëngje dhe vëzhgimi i gjendjes së përgjithshme, ndërsa përkeqësimi kërkon vlerësim mjekësor.


