Ndjeni lodhje, mungesë energjie apo dhimbje koke? Kontrolloni tiroiden!

Dhimbjet e shpeshta të kokës mund të jenë më shumë sesa një shqetësim i zakonshëm. Sipas studimeve shkencore, ekziston një lidhje e rëndësishme mes migrenës dhe hipotiroidizmit, një gjendje që shkaktohet nga funksionimi i ulët i gjëndrës tiroide.
Të dhënat tregojnë se personat që vuajnë nga dhimbje koke të përsëritura kanë rreth 20% më shumë gjasa të diagnostikohen me hipotiroidizëm, ndërsa te pacientët me migrenë ky rrezik mund të kalojë edhe 40%.
Ekspertët shpjegojnë se kjo lidhje mund të lidhet me faktorë të përbashkët si çrregullimet hormonale, inflamacioni kronik, ndikimi në serotoninën dhe noradrenalinën, si dhe ndryshimet në metabolizëm. Për pasojë, hipotiroidizmi mund t’i bëjë krizat e migrenës më të shpeshta, më intensive dhe më të vështira për t’u trajtuar.
Një studim i publikuar në revistën “Headache”, i realizuar nga studiues të Universitetit të Cincinnati-t dhe i bazuar në të dhënat e rreth 8.500 personave, konfirmoi ekzistencën e një lidhjeje të ndërsjellë mes cefaleve dhe çrregullimeve të tiroides.
Mjekët rekomandojnë që personat që përjetojnë migrena të shpeshta, veçanërisht kur ato shoqërohen me lodhje të vazhdueshme, mungesë energjie dhe vështirësi në përqendrim, të kryejnë analiza për funksionin e tiroides, përfshirë testin TSH dhe parametrat e tjerë hormonalë. Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të një problemi që shpesh mbetet i pazbuluar.

