“Pa simbolet tona nuk garojmë”, Kosova largohet nga Kampionati Evropian i Golfit!

“Pa simbolet tona nuk garojmë”, Kosova largohet nga Kampionati

Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili ka nisur në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.

Në një komunikatë zyrtare, federata bëri të ditur se golfisti Azer Bislimaj ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi në këtë kampionat prestigjioz, ku do të përfaqësonte Kosovën mes 29 shteteve pjesëmarrëse. Sipas federatës, regjistrimi zyrtar ishte përfunduar më 23 prill, ndërsa të gjitha obligimet financiare për udhëtimin dhe akomodimin ishin kryer me kohë.

Federata theksoi se Bislimaj kishte zhvilluar përgatitje intensive për garën, duke përfshirë dy kampe stërvitore në Spanjë dhe pesë javë stërvitje në Gjermani nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Krüger.

Sipas komunikatës, Shoqata Evropiane e Golfit (EGA) kishte bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe kishte përfshirë Kosovën në të gjitha sistemet zyrtare të kampionatit, duke paraqitur lojtarin kosovar me emrin dhe flamurin e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, më 27 maj, Federata e Golfit e Kosovës u informua se autoritetet shtetërore të Qipros, të mbështetura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e atij shteti, nuk do të lejonin shfaqjen e flamurit të Kosovës në të njëjtën mënyrë si flamujt e shteteve të tjera pjesëmarrëse.Federata vlerësoi se ky informacion u komunikua vetëm pasi të gjitha përgatitjet sportive, organizative dhe financiare ishin përfunduar dhe theksoi se Kosova nuk kërkonte trajtim të veçantë, por vetëm trajtim të barabartë me vendet e tjera pjesëmarrëse.

“Ne nuk mund të pranojmë pjesëmarrje në gara ndërkombëtare në kushte të pabarabarta dhe pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin tonë me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Federata e Golfit e Kosovës shtoi se, pavarësisht zhgënjimit nga kjo situatë, do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe për bashkëpunimin me organizatat evropiane dhe botërore të këtij sporti, duke shpresuar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen./KosovaPress

EMISIONET