Plani Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026-2030, mbi shtatë miliardë lekë me 68 masa prioritare

Këshilli i Ministrave miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030, dokumentin strategjik që do të udhëheqë politikat publike për garantimin e të drejtave, përfshirjes sociale dhe jetesës së pavarur të personave me aftësi të kufizuara gjatë pesë viteve të ardhshme.
I hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, organizatat e personave me aftësi të kufizuara, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, Plani përfaqëson angazhimin e Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më të aksesueshme dhe më të drejtë për të gjithë.
Plani bazohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Strategjinë e Bashkimit Evropian për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021–2030. Ai synon që personat me aftësi të kufizuara të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre, të jetojnë të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore, ekonomike dhe publike të vendit.
Dokumenti parashikon ndërhyrje konkrete në fushat e aksesueshmërisë, arsimit gjithëpërfshirës, punësimit dhe formimit profesional, mbrojtjes sociale, shëndetësisë dhe rehabilitimit, drejtësisë, si dhe pjesëmarrjes në jetën politike, kulturore dhe publike. Në total, Plani përfshin 28 objektiva specifike, 68 masa prioritare dhe 283 ndërhyrje konkrete të buxhetuara për periudhën 2026–2030, me një kosto të përgjithshme prej rreth 7.6 miliardë lekësh.
Një nga drejtimet kryesore të Planit është kalimi nga një model mbështetjeje i fokusuar kryesisht te përfitimet financiare drejt një modeli të përfshirjes së plotë sociale, ekonomike dhe institucionale. Në fokus janë zgjerimi i aksesit në shërbime komunitare, rehabilitim, arsim cilësor, teknologji ndihmëse, mundësi punësimi dhe infrastrukturë të aksesueshme.
Ndër risitë kryesore të Planit janë zgjerimi i shërbimeve komunitare dhe mbështetja e jetesës së pavarur, hartimi i planeve të individualizuara të tranzicionit për përfituesit e qendrave të zhvillimit, identifikimi dhe hartëzimi kombëtar i personave në rrezik institucionalizimi, forcimi i financimit të shërbimeve sociale, përmirësimi i aksesit në pajisje ndihmëse dhe teknologji mbështetëse, si dhe ngritja e sistemeve më të avancuara të mbledhjes së të dhënave dhe monitorimit.
Plani parashikon gjithashtu zgjerimin dhe standardizimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin e vendit, forcimin e rehabilitimit, zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe krijimin e një sistemi më të plotë të pajisjeve ndihmëse, të bazuar në nevojat individuale të çdo personi. Një rëndësi e veçantë i kushtohet modernizimit të arsimit gjithëpërfshirës dhe formimit profesional, forcimit të qendrave burimore, zhvillimit të edukimit të hershëm gjithëpërfshirës dhe krijimit të lidhjeve më të forta ndërmjet arsimit, aftësimit profesional dhe tregut të punës.
Miratimi i këtij plani vjen në vijim të reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara, përfshirë rritjen e mbështetjes financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe mbulimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030 përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të drejtë, më të aksesueshëm dhe më gjithëpërfshirës, ku aftësia e kufizuar nuk përbën pengesë për ushtrimin e të drejtave, pjesëmarrjen aktive në shoqëri dhe jetesën e pavarur.



