Turqia konfirmoi zërat e përfshirjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në bisedimet për uljen e tensioneve midis Ankarasë dhe Athinës. Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, u shpreh i gatshëm të takojë Dendias në Tiranë me ftesën e Edi Ramës. Athina tha se nuk ka marrë ndonjë ftesë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, konfirmoi zërat e përfshirjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në bisedimet për uljen e tensioneve midis Ankarasë dhe Athinës.

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij nga e ashtuquajtura Republika Turke e Qipros Veriore, Tahsin Ertuğruloğlu, Çavuşoğlu komentoi edhe ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të organizuar një takim në Tiranë me kryediplomatin grek Nikos Dendias.

Çavuşoğlu u shpreh i gatshëm për këtë takim.

“Pas këtij takimi të parë, jam i gatshëm të takoj Dendias duke shkuar në Tiranë me ftesën e Ramës. Kjo është një ftesë, shpresoj që Greqia nuk e refuzon këtë mundësi, këtë ftesë dhe së shpejti fillojnë bisedimet hulumtuese”, tha ai.

Sipas deklaratës së Çavuşoğlu kuptohet se përpjekjet e Tiranës për të ndërmjetësuar kanë filluar që gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë në Tiranë më 20 tetor.

Por takimi ndërmjet dy ministrave të Jashtëm të Turqisë dhe Greqisë në Tiranë nuk u zhvillua për shkak të karantinimit të Dendias më 11 nëntor.

Në Athinë Ministria e Jashtme mohoi të hënën që pala greke të ketë marrë ndonjë ftesë për rinisjen e bisedimeve me Turqinë për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfin kontinental në Mesdheun Lindor.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Alexandros Papaioannou, tha se “Nuk ka mbërritur asnjë ftesë nga Ministria e Jashtme e Turqisë për të përcaktuar një datë në lidhje me raundin e 61 të bisedimeve dypalëshe”.

Në një intervistë për DW më 19 shtator 2020, kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të qartë nëse ka tentuar ndërmjetësimin mes palëve.

“Ne jemi shumë të vegjël për të bërë të tilla punë të mëdha për botën. Por patjetër, besoj që mundësia për të thënë fjalën tonë, për të thënë fjalën time, është një nga rrugët për të nxitur komunikimin, dialogun,” tha atë kohë Rama. Leftion Peristeri