Zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti lexon rezultatin: LVV shënoi fitoren e pestë në shtatë vjet

Zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti lexon rezultatin: LVV shënoi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë para mbështetësve në Prishtinë pak para mesnatës, duke e cilësuar rezultatin zgjedhor si fitore të partisë së tij.

Ai ka thënë se kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare brenda shtatë vjetësh, duke përmendur fitoret më 2019, 2021, dy herë më 2025 dhe tani më 2026.

Kurti ka deklaruar se kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, duke falënderuar mbështetësit për angazhimin e tyre.

Sipas tij, LVV do të vazhdojë të udhëheqë me qeverisje “të mirë dhe demokratike”.

“Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, ka thënë Kurti, duke përdorur sloganin e partisë.

Ai ka thënë se te LVV-ja qytetarët kanë garanci për mirëqeverisje, ndërsa ka shtuar se partia është e interesuar të punojë, ndryshe nga “blloku opozitar”.

Po ashtu, Kurti ka thënë se legjislatura e 11-të duhet të fillojë sa më shpejt dhe ka paralajmëruar takime e bisedime me të gjitha partitë në ditët në vazhdim.

Rezultatet paraprake tregojnë këtë renditje të forcave politike:

Lëvizja Vetëvendosje – 42.92% (297,296 vota)

Partia Demokratike e Kosovës – 21.06% (145,856 vota)

Lidhja Demokratike e Kosovës – 17.61% (121,976 vota)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 7.18% (49,705 vota)

Srpska Lista – 6.17% (42,761 vota)

Kosova Demokratik Türk Partisi – 0.77% (5,334 vota)

Procesi i numërimit është drejt përfundimit, me më shumë se 99 për qind të votave të procesuara. Nga gjithsej 2,498 kuti votimi, deri në orët e para të mëngjesit janë numëruar 2,483, duke e bërë rezultatin pothuajse përfundimtar.

Nëse trendi aktual mbetet i pandryshuar deri në certifikimin zyrtar të rezultatit, Vetëvendosje do të sigurojë një fitore të thellë, duke ruajtur pozicionin e saj si forca kryesore politike në Kosovë.

Zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti lexon rezultatin: LVV shënoi

EMISIONET