Të duash një fëmijë vërtetë, prindi ta lejojë atë të jetë i lirë... si një zog

Të duash një fëmijë vërtetë, prindi ta lejojë

Pavarësisht se sa është shkruar dhe sa është thënë për mënyrën e edukimit të fëmijëve, sërish e gjithë kjo është e pamjaftueshme.

Atij i duhet të gabojë, sepse jeta nuk ka mënyrë tjetër ta rrisë një pemë veçse me përvojën e dhunshme të natyrës.

Prindër, ndoshta është gabuar, por specilistët këshillojnë që fëmijën, jo ta mbash lidhur pas teje si hije, por ta shoqërosh me zemër të hapur drejt së panjohurës së tij. Sepse prindëria nuk është një e drejtë mbi dikë, por një detyrë e thellë për ta ndihmuar të bëhet ai që është, jo ai që ti shpreson të jetë.

Fëmijët nuk janë pronë. Ata nuk vijnë nga ne, por përmes nesh. Ata nuk janë vetëm vazhdimi ynë, por edhe vetvetja në një formë të re. Dhe në këtë është madhështia e jetës, që përmes dashurisë, mësojmë ta pranojmë tjetrin pa e sunduar.

Sa herë kemi dëgjuar prindër që thonë: “Unë duhet ta sistemoj fëmijën tim.” Si një mobilie, si një enë porcelani.

Por fëmija nuk është një objekt për t’u vendosur në vendin e duhur. Është një shpirt që duhet të shkojë atje ku e ngas thirrja e tij.

Nëse ti mendon të zëvendësosh dështimin e tij me suksesin tënd, t’i zgjidhësh rrugën për t’ia bërë më të lehtë, çfarë po i thua në të vërtetë?

Se ai nuk ia del dot vetë?

Se gjithmonë do të ketë nevojë për ty?

Një prind i vërtetë është si një instruktor fluturimi, të mëson si të fluturosh, të mëson lartësinë, rriskun, përplasjen, ngritjen, dhe pastaj të lëshon. Me zemrën që i dridhet, por me besimin që ti do ta gjesh udhën tënde.

Dashuria nuk është frikë, nuk është as kontroll, as frena, për më pak të jetë mbikqyrje.

Dashuria është të dish të shohësh të shtrenjtin tënd duke fluturuar larg, jo për të të harruar, por për të qenë më shumë vetvetja.

Dhe ti, prind, do të kesh qenë toka nga ku ai mori hov.

E kjo është dashuria më e vërtetë.

EMISIONET