ZGJEDHJET NË KOSOVË/ Votat e diasporës i japin hov Vetëvendosjes, arrin në 51 mandate. AAK humb një ulëse në Kuvend

ZGJEDHJET NË KOSOVË/ Votat e diasporës i japin hov

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës pas numërimit të rreth 20 për qind të votave me postë, duke fituar tre mandate shtesë krahas rezultatit të dalë nga votimi i rregullt në Kosovë.

Sipas të dhënave të deritanishme, Vetëvendosje ka marrë mbi 69 për qind të votave të numëruara nga diaspora. Në votimin brenda vendit kishte siguruar 48 mandate, ndërsa numërimi i votave me postë e ka çuar në 51.

Dy mandatet e para shtesë u morën në kurriz të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa me përditësimin e fundit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka rënë nga tetë në shtatë ulëse.

Nëse trendi aktual vazhdon edhe gjatë numërimit të votave të mbetura, Vetëvendosje mund të fitojë edhe një mandat tjetër.

Në rezultatet e përgjithshme, Vetëvendosje ka 44.6 për qind të votave, PDK-ja renditet e dyta me 20.5 për qind, LDK-ja e treta me 17.26 për qind, ndërsa AAK-ja ka pak më pak se 7 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora. Deri tani janë procesuar të dhënat e afro 11 mijë votave.

Për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota. Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim.

EMISIONET