Von Cramon kërkon që të dënohen protestuesit që sulmuan ushtarët e KFOR-it

Von Cramon kërkon që të dënohen protestuesit që sulmuan

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon sot ka shtuar edhe një kërkesë, krahas atyre që ka parashtruar shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell të enjten për Kosovën.

Von Cramon ka kërkuar hetim dhe ndjekje të penale të autorëve të sulmeve kundër ushtarëve të KFOR-it në veri. Ajo është shprehur mirënjohëse ndaj trupave të KFOR-it dhe të lënduarve u ka uruar shërim.

Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka renditur dje tri kërkesa të qarta për zgjidhjen e situatës në veri të Mitrovicës.

“Kemi 3 kërkesa të qarta: Zgjedhje lokale të reja të menjëhershme, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që, serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

EMISIONET