Takohet me Vuçiç në mes të qershorit, Kurti: Ka diskutime, por nuk ka presion për rifillim e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se nuk ka presion nga BE dhe as nga ShBA për të rinisur dialogu mes Kosovës e Serbisë, derisa konfirmoi se një takim i tillë do të mbahet në mes të qershorit.
Duke folur nga Prizreni, shefi i qeverisë së Kosovës tha se dialogu do të jetë parimor dhe i drejtë ku Kosova do të jetë palë në bisedime.
“Do të ketë një takim kah mesi i qershorit, sot është 1 qershori nuk është mesi i qershorit…Presion nuk ka, ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë po është palë në bisedime dhe me dijen, programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës”, tha ai.
I pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik.
“Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e që besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion një etnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, tha ai.
Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pas takimit që ai pati me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
I pyetur që të komentojë lidhur me kompromiset e mundshme, Palmer tha se u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin për to.
Sa i takon themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç palët janë marrë vesh.
Ndërsa Lajçak deklaroi se takimet e zhvilluara në Prishtinë ishin të dobishme dhe se qëllimi i kësaj vizite dyditore sipas tij ishte që të sigurohet që takimi Kurti-Vuçiç të jetë i suksesshëm.
Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë.


