Situata në Veri, Kurti nga Dubrovniku: Duhet sundim i ligjit dhe datë e zgjedhjeve. Policinë e reduktojmë kur ekstremistët t’i japin fund trazirave

Situata në Veri, Kurti nga Dubrovniku: Duhet sundim i ligjit dhe datë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në një konferencë në Dubrovnik të titulluar “Kroacia evropiane, retrospektiva dhe perspektiva”.

Teksa ka folur për tensionet e fundit në veri të vendit, Kurti ka thënë se Kosovës po i duhet të merret me ekstremistë të dhunshëm, ultranacionalistë dhe të djathtë që besojnë në “Botën Serbe” dhe e shohin atë si “bota ruse”.

“Këta njerëz janë ata të cilët admirojnë Millosheviçin ose Putinin”, ka thënë Kurit në Dubrovnik.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka nevojë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit dhe për datën e zgjedhjeve. Kurti ka thënë se Kosova mund ta reduktojë prezencën e policisë speciale në komunat veriore nëse ekstremistët e dhunshëm i japin fund trazirave.

“Unë mendoj se rruga përpara është dialogu intensiv për të implementuar marrëveshjen dhe ne kemi një marrëveshje dhe duhet ta implementojmë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se BE-ja është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe të ardhmes pas Luftës së Dytë Botërore dhe se është inkuadruar në dialog me Serbinë sepse atë e organizon Bashkimi Evropian dhe është lehtësues i bisedimeve.

Në trazirat e fundit në Kosovë, në fund të majit, dhjetëra paqeruajtës të NATO-s dhe protestues serbë nga veriu i Kosovës u lënduan.

Trazirat ndodhën pasi autoritetet e Kosovës vendosën kryetarët e komunave, shqiptarë etnik, në zyrat komunale.

Kryetarët e komunave u zgjodhën në bazë të pjesëmarrjes prej vetëm 3.5 për qind, pasi shumica e serbëve në atë rajon bojkotuan zgjedhjet lokale.

EMISIONET