SHBA: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried thotë se se SHBA dhe Bashkimi Evropian nuk po përpiqen të imponojnë një zgjidhje për situatën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por për t’i ndihmuar këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë dhe të vështira.
Donfried ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka efekte edhe në Ballkanin Perëndimor edhe në Shqipëri dhe këto janë të lidhura.
‘Një mësim nga kjo luftë, do të thosha unë, është ndjenja e urgjencës. Ndonjëherë mendojmë se koha është në anën tonë dhe mund të ketë vendime të vështira që ne duhet të marrim, por nuk duam t’i marrim sot, dhe i lëmë për nesër. Në disa raste ndodhin gjëra që ne nuk i kemi para shikuar’, ka thënë Donfried, për Zërin e Amerikës.
Ajo thotë se për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit Euro-Atlantik.
‘Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira’.
‘Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të Euro-Atlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit Euro-Atlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër’, tha ajo.
‘Ne e dimë që edhe Shqipëria do të jetë aty për t’i ndihmuar këto vende të marrin këto vendime të vështira. Por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre. Ato duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan. Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë’, tha Donifried.