Spiuni i FBI-së, Çollaku: McGonigal një hap larg akuzës për spiunazh! Zoti e ruajtë Ramën, se di a do mund të kalojë Oqeanin
Kreshnik Çollaku thotë se ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, është vetëm një hap larg akuzës për spiunazh.
Në Rtv Ora ai tha se ky skandal ka tronditur SHBA-të, teksa analizoi dhe përfshirjen e kryeministrit Rama në këtë aferë për të dëmtuar Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën si kryetar i saj asokohe.
"Ky lajm po trondit Uashingtonin. Drejtuesi i lartë i FBI është vetëm një hap larg akuzës për spiunazh në shërbim të vendeve armiqësore me SHBA. Mund të kthehet në një "Kim Philby" të dytë. Kaq i rëndë është ky skandal. Këto gjëra duhet ti kishim thënë nga salla e Parlamentit".
Fije ruse dhe kineze
Aktiviteti ku dyshohet se është përdorur ish-drejtuesi i FBI-së vjen nga këto dy fuqi armiqësore me SHBA. Interesa ruse dhe kineze bashkë. Po hetohet në dëmet eventuale që ky person i rekrutuar nga këto dy vende armiqësore ti ketë prodhuar krejt sistemit të Inteligjencës së SHBA. Është vetëm fillimi.
Si lidhet Shqipëria?
Deri më sot dy janë akuzat që kanë dërguar para drejtësisë zyrtarin e FBI. Përdorim i tij në shërbim të interesave të një oligarku rus për të goditur të tjerë rivalë biznesi apo dhe më gjerë të oligarkut rus në SHBA. Së dyti mendohet se mund të jetë dekonspiruar nga ana e McGonigal te oligarku rus lista potenciale e individëve që planifikonin SHBA-të të sanksionin në Rusi, njerëz afër Putin. Kjo është çështja e Nju Jorkut. Çështja në Uashington është se oficeri i FBI për interesa të kryeministrit të Shqipërisë ka prodhuar, stimuluar, manipuluar një hetim për të dëmtuar rivalin politik të kryeministrit. Në të dy çështjet në mes qëndron oligarku rus. Në këmbim të shërbimit ndaj kryeministrit, i janë favorizuar interesa ekonomike oligarkut rus, i sanksionuar nga SHBA. Hetimi ka filluar nga 2017, 5 vite. Është bërë hetim i plotë. Çdo takim, çdo drekë, çdo mesazh është dokumentuar. Zoti e ruajtë nëse ka bërë ndonjë marrëzi dhe qartësisht duket se marrëzia është bërë.
A bie fabula e rublave ruse të opozitës në kohën që drejtohej nga Basha?
Totalisht. Çështja e Uashingtonit është pikërisht ky komplot. Angazhimi i këtij agjenti rus në FBI nga kryeministri i Shqipërisë të prodhojë një hetim kriminal karshi një lobisti të kontraktuar nga PD atë kohë për të inkriminuar rivalin e tij politik, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Para kësaj balte nuk i rezistuan tundimit as gjysma e miqve tanë të Rithemelimit. Një vit morën këto teza të Edi Ramës, i ripërpunuan, krijuan një komision Mandia. Materialet janë furnizuar nga zyra e Edi Ramës.
Non gratat në derën e qeverisë
Me këto veprime Rama ka cënuar sigurinë kombëtare të SHBA. Non gratat janë në derën e qeverisë. Nuk e di kush janë këta zyrtarë të qeverisë, përfshirë Edi Ramën, që do të kenë mundësi të kalojnë më Oqeanin. Plotëson të gjitha kushtet për të shkuar drejt një sanksionimi non grata.
Komplot dhe ndaj Berishës?
Teorikisht nuk përjashtohet por ka një element shtesë. Përveç akuzave që mund të prodhohen nbga situata të tilla ka dhe një vendim politik sipër saj që është deklarimi i Sekretarit të Shtetit. Ka edhe një qasje politike mbi këtë që është dekreti i presidentit Biden për aktorët e korruptuar në Ballkan. Në rast se ka elementë të tillë një gjyq mund ta zgjidhte. Por e bën pak më të vështirë se është dhe një sjellje politike përveç akuzave konkrete, të cilat ne përveç deklarimit nuk i kemi parë ende. Duhet parë nëse ka një reagim nga administrata amerikane, nga sistemi i drejtësisë amerikan. Do të ishte një çështje për tu çuar në gjykatë. Në SHBA, Berisha nuk e ka bërë. Ka një çështje të hapur në Francë prej një viti. Këtu nuk është vetëm Rama, kemi parë dhe Gjiknurin që agjentin rus në FBI jo vetëm e ka shoqëruar në Tiranë, janë dokumentuar nga FBI në dreka e darka bashkë me bisedat që kanë bërë, por e kanë marrë dhe e kanë çuar në Tropojë ku e kanë shpallur Qytetar Nderi.
Hetim nga SPAK?
Është emergjencë që SPAK të nisë një hetim për këtë. Dje zoti Bardhi ka dorëzuar një padi në SPAK. Mbase i duhet lënë koha e arsyeshme për të verifikuar gjënë.
Ambasada amerikane
Nuk e di nëse ka pasur dijeni apo jo për takimet por ndër akuzat që i bëhen zyrtarit të FBI është se nuk ka raportuar asnjë takim.
Beteja e fundit kundër Ramës
Kjo mund të jetë beteja e jetës së demokratëve. Por në rast se ne qasemi me dy standarde me SHBA kjo nuk është betejë që e fitojnë demokratët. Nuk mund të jetë një betejë e një non grate kundër një non grate.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.