Qeveria ndan mbi 295 mijë euro/ Mbështetje për tekstet shqipe në luginë dhe fond për inovacionin

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar tri vendime në një mbledhje elektronike, që lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm në Leposaviq, mbështetjen e arsimit në Luginën e Preshevës dhe zhvillimin e sektorit të inovacionit e teknologjisë.
Në kuadër të vendimeve të marra, ekzekutivi ka ndarë 255 mijë e 153 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për vitin shkollor 2025/2026.
Po ashtu, janë ndarë 40 mijë euro për organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.
Nga ky fond, 20 mijë euro do t’i dedikohen organizatës FLOSSK, ndërsa 20 mijë euro Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK), me synimin për promovimin e ekosistemit teknologjik të vendit.
Ndërkohë, një tjetër vendim i qeverisë lidhet me dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për furnizimin me ujë të pijshëm të Komunës së Leposaviqit.


