KOSOVA VOTON/ KQZ publikon shifrat e fundit, mbi 445 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar përditësimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen këtë të diel.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 15:00 kanë votuar 445,622 qytetarë, që përbëjnë 22.74 për qind të votuesve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në të gjithë Kosovën, ndërsa qytetarët po zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit pas shpërndarjes së legjislaturës dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit.
Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që mbahen në Kosovë në më pak se një vit e gjysmë, ndërsa sipas listës përfundimtare të votuesve, të drejtën e votës e gëzojnë 1,959,962 qytetarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë përditësime të tjera mbi ecurinë e procesit deri në mbylljen e qendrave të votimit.


