Konjufca: Qëndrimi i Ekipit Menaxhues në Bruksel ishte tronditës për Kosovën
Ekipi i negociatorëve me Serbinë është shkarkuar nga Qeveria e kosovës. Kryetari i Kuvendit e ka cilësuar vendimin të drejtë. Madje Glauk Konjufca shton se mes tyre ishte dhe një deputete e partisë së Aleksandër Vuçiç, ndaj dhe nuk mund të përfaqësonte shqiptarët në bisedime.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të shkarkojë grupin e negociatorëve për marrëveshjen me Serbinë.
Vendimi i marrë vetëm një ditë pas bisedimeve mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç është përshëndetur prej kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Madje ky i fundit shton se grupi nuk përfaqësonte interesat e Prishtinës.
“Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”.
Kryeparlamentari duket se është në një linjë të drejtë me kryeministrin sa i përket Asociacionit.
Sipas tij propozimi për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda kornizës kushtetuese.
“Jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë këtu nuk është diçka e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe".
Gjatë takimit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë gjetën dakordësinë për gjetjen e trupave të viktimave të luftës.