Ambasadori Geer: Bëni hapin e radhës për në BE, ndryshoni Kushtetutën

Ambasadori Geer: Bëni hapin e radhës për në BE, ndryshoni

"Maqedonia e Veriut duhet të bëjë hapin e radhës drejt integrimeve evropiane, që është ndryshimi i Kushtetutës, duke përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj", ka thënë ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, tha se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë hapin e radhës drejt integrimeve evropiane, që është ndryshimi i Kushtetutës, duke përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Ndryshimet kushtetuese parashihen në Marrëveshjen me Bullgarisë për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike andaj edhe është kusht për vazhdimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Ambasadori i BE-së tha më 22 maj se Maqedonia e Veriut ndodhet në një moment shumë të veçantë të historisë, pasi sipas tij, procesi i zgjerimit është vendosur si prioritet kryesor në agjendën e BE-së, që do të thotë se gjërat mund të zhvillohen shumë shpejt.

“Maqedonia e Veriut mund ta shfrytëzojë atë mundësi, për të qenë në gjendje të ecë përpara dhe hapi tjetër që duhet bërë është ndryshimi i Kushtetutës”, tha Geer gjatë një vizite në qytetin e Ohrit, shkruan REL.

Ai theksoi se Shkupi ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, por kjo rrugë mund të vazhdohet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës.

“Kuptohet se po flasim për një vendim sovran që duhet të merret nga vendi juaj. Mirëpo, po flasim për një vendim thelbësor për të ecur përpara”, tha ambasadori Geer.

Ai përmendi edhe nevojën për reforma, që sipas ambasadorit të bllokut evropian, janë kyçe për dinamizimin e procesit të integrimit evropian.

“Sa më shpejt të zbatohen reformat, aq më e shpejtë do të jetë hyrja e vendit në BE”, u shpreh Geer.

Në mars 2020, Bashkimi Evropian vendosi që të fillonte negociatat me Maqedoninë Veriut , por ky proces u bllokua nga Bullgaria duke kushtëzuar mbështetjen e saj me zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve. Bullgaria hoqi veton në vitin 2022 pas arritjes së marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, me ndërmjetësimin e Francës.

Por, ndryshimet kushtetuese tani kundërshtohen nga opozita maqedonase. VMRO DPMNE ka thënë se Brukseli duhet të japë garanci se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera në procesin e mëtejmë të integrimit evropian të vendit.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë.

EMISIONET