Absurde nga Serbi/ 'Kurti po nxit protestat në Beograd' - Ekspertët: Regjimi në Serbi është i frustruar

Akuzave se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka për qëllim dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës, zyrtarët serbë ia kanë shtuar edhe atë se po e inspirojnë opozitën në Serbi për ta rrëzuar Vuçiçin nga pushteti. Pas protestave masive në Beograd, vartës të Vuçiçit thanë se ata që sulmojnë vazhdimisht serbët në Kosovë, po e inspirojnë edhe opozitën serbe kundër institucioneve të Serbisë.

Absurde nga Serbi/  'Kurti po nxit protestat në Beograd' -

Shpërthimi i protestave masive të opozitës kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit në Serbi, ka bërë që vartësit e tij t’i gjejnë përgjegjësit edhe në Kosovë.

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka fajësuar mediat e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për mbështetje të opozitarëve serbë, duke e përsëritur se çdo ditë po sulmohen serbët në Kosovë.

“Tërbimi i opozitës së Gjilasit dhe shembja e Beogradit e bënë më të lumtur Kurtin dhe mediat në Prishtinë, të cilat vazhdimisht raportojnë për protesta të dhunshme në mbështetje të sulmit ndaj institucioneve të Republikës së Serbisë dhe policisë. Është e qartë pse Kurti e ka përkrahur hapur opozitën e Gjilasit, ndërsa çdo ditë sulmon serbët në KiM!”, ka deklaruar Petkoviç.

Mediat e pavarura serbe kanë raportuar për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve opozitarë në Beograd. Opozita e ka akuzuar Vuçiçin për vjedhje të votave në shumë qytete, në zgjedhjet e 17 dhjetorit, përfshirë Beogradin. Njohës të rrethanave e cilësojnë si frustrim tërheqjen e paraleles mes Kosovës dhe protestës opozitare në Serbi.

“Kurti nuk ka lidhje fare me protestat në Serbi. Kushdo që e tërheq këtë paralele është skajshmërisht i frustruar dhe nuk e njeh mirë situatën në rajon. Revolta e akomoluar e qytetarëve serbë ndaj Vuçiçit, i cili anon nga konservatorizmi e jo liberalizmi, janë rrethana që kanë reflektuar tek ata qytetarë serb, që kanë sens politik. Mendoj se trazirat janë filli i një përplasjeje të madhe të popullatës serbe përmes protestave e formave të tjera të mosdëgjueshmërisë politike ndaj Vuçiqit. Prandaj nuk e shoh Vuçiqin që do të mbetet gjatë në pushtet, pasi ky është vetëm fillimi i një revolte që do të zgjerohet”, thekson ligjëruesi i sigurisë, Fatmir Çollaku.

Ndërlidhja mes Kosovës dhe protestave në Beograd, bëhet krahas narrativës tjetër të zyrtarëve serbë, se qeveria ka në plan dëbimin e serbëve.

Deklaratat e zyrtarëve serbë vijnë pas paralajmërimeve të kryeministrit Kurti e presidentes Vjosa Osmani, se Serbia po planifikon sulm tjetër në Kosovë, pas atij në Banjskë më 24 shtator.

“Ato paralajmërime të presidentes dhe kryeministrit edhe në forume të ndryshme kanë dimension tjetër. Janë më shumë deklarata politike, që çojnë mesazh se Serbia është toleruar mjaft, nuk i janë vendosur sanksione, e Kosovës iu vunë edhe pse është viktimë. Krejt kjo ka një domethënie politike që përmes shtimit të vëmendjes së NATO-s, ShBA, e Mbretërisë së Bashkuar- të mos tolerohet asnjë veprim i Serbisë”, thotë Çollaku

Sipas Çollakut, institucionet e sigurisë tani janë shumë më të përgatitura për ta zmbrapsur çfarëdo sulmi në pjesën veriore.

EMISIONET