650 emigrantë u mbytën në vitin 2023, ndjekje penale për 4 drejtuesit e Rojës Bregdetare të Greqisë

650 emigrantë u mbytën në vitin 2023, ndjekje penale për 4

Katër drejtues të lartë të Rojës Bregdetare të Greqisë, përfshirë komandantin aktual të saj, do të përballen me ndjekje penale për vrasje nga pakujdesia, në lidhje me tragjedinë e vitit 2023 ku rreth 650 emigrantë humbën jetën pas mbytjes së një anijeje në brigjet e Pylosit.

Anija e peshkimit “Adriana” u mbyt në ujërat pranë Pylosit.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, të cilët folën për BBC-në, anija u përmbys pasi roja bregdetare greke tentoi ta tërhiqte, por manovra dështoi. Autoritetet greke kanë mohuar gjithmonë çdo përgjegjësi për ngjarjen.

Një prokuror i gjykatës së apelit detar në Pire ka rekomanduar që në gjyq të dalin komandanti aktual i Rojës Bregdetare, nënprefekti detar Tryfon Kontizas, si dhe tre oficerë të tjerë të lartë. Akuzat përfshijnë vrasje nga pakujdesia në ujëra ndërkombëtare brenda zonës së shpëtimit të Greqisë, shkelje të detyrës ligjore për shpëtim që solli vdekje, si dhe përballje të përsëritur të personave me rrezik për jetën përmes mosveprimit.

“Adriana” ishte nisur nga Libia drejt Italisë në qershor 2023 dhe ishte vëzhguar për rreth 15 orë nga një patrullë detare greke përpara se të mbytej. Nga 104 personat që mbijetuan, disa dëshmuan se anija u fundos pasi roja bregdetare e tërhoqi me shpejtësi të madhe, ndërsa ajo ishte e paekuilibruar.

Megjithëse u gjetën vetëm 82 trupa, besohet se qindra të tjerë kanë humbur jetën. Më herët këtë vit, prokurorët e gjykatës detare në Pire vendosën që 17 anëtarë të Rojës Bregdetare të përballen me akuza, përfshirë kapitenin e anijes patrulluese, ish-komandantin e përgjithshëm të Rojës Bregdetare, nënadmiralin Giorgos Alexandrakis, dhe drejtuesin e qendrës kombëtare të kërkim-shpëtimit.

Në atë vendim, Tryfon Kontizas dhe tre oficerë të tjerë të lartë u shpallën të pafajshëm. Kontizas ishte emëruar komandant i përgjithshëm vetëm disa javë para vendimit të gjykatës. Vendimi për mosndjekjen penale të tyre u kundërshtua nga avokatët e të mbijetuarve dhe familjarët e viktimave.

Qeveria greke ka deklaruar se respekton plotësisht të drejtat e njeriut dhe se gjatë dekadës së fundit ka shpëtuar më shumë se 250 mijë persona në det.

EMISIONET