As në 18 prill dhe as në 9 maj, por në 25 prill do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021.

E diela e fundit e prillit është dita që presidenti Ilir Meta ka dekretuar për ta çuar vendin drejt kutive të votimit.

Kreu i Shtetit nuk e ka vonuar firmën e tij në dekret, vetëm 2 ditë pas konsultimeve me krerët e partive politike në vend.

Ish-aleati i tij, kryeministri Edi Rama, në një vizitë të shkurtër në zyrën e Ilir Metës, ia la Presidentit në dorë datën e zgjedhjeve.

Këtij konsesusi i është përgjigjur edhe Meta, i cili ja plotësoi dëshirën Ramës që parlamentarët e 2021 të mos caktoheshin me 2 maj, pasi kjo e dielë përkonte me Pashkët Ortodokse.

Data e dekretuar nga Kreu i Shtetit është 1 javë larg të dielës që opozita jashtëparlamentare kishte kërkuar.

Por ashtu siç deklaruan opozitarët jashtë parlamentit, të gjithë do ta pranojnë 25 prillin.

Zgjedhjet shihen si e vetmja mundësi e PD-së së bashku me aleatët për të hyrë sërish brenda institucioneve, të cilët në shkurt të vitit të shkuar dogjën mandatet e tyre si deputetë.

Presidenti “lau” duart” me zgjedhjet, ndërsa tashmë janë palët politike të cilët duhet të përcaktojnë se si do të shkojnë në zgjedhje, duke përcaktuar se sa do të hapen listat dhe nësë do të ketë koalicione parazgjedhore apo jo.

Lexo dhe: Te henen mblidhet parlamenti

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të dominojnë axhendën e parlamentit që pritet të nisë të hënën në orën 17:00.

Në këtë sesion të ri legjislativ do të formohet KQZ-ja e re si dhe nëse do të gjendet dakordësia mes PS dhe PD në Këshillin Politik do të implemtohen në Kod Zgjedhor edhe hapja e listave si dhe koalicionet parazgjedhore.

Paketa me 7 ligje të ndryshuara për shkak të marrëveshjes së 5 qershorit do të duhet të marrë kartonat jeshil të deputetëve në Parlament.