Xhixho: Shëndetësia, në kolaps! Mijëra qytetarë mbeten peng i listave të pafundme të pritjes
DEKLARATA E ZV. PRESIDENTES TË PARTISË SË LIRISË, ERISA XHIXHO
Shëndetësia shqiptare është në kolaps të plotë. Ky është realiteti dramatik që përjetojnë çdo ditë mijëra qytetarë të detyruar të trokasin në dyert e spitaleve publike.
Në Spitalin Onkologjik mungojnë barna jetike si acidi folinik dhe avastina. Nuk ka brakiterapi, nuk ka PET Scan. Pajisja e trombektomisë ka dy vite jashtë funksionit. Në Neurokirurgji mungon lomustina dhe familjarët detyrohen ta blejnë në tregun e zi me rreth 800 euro.
Pamja në spitalet publike është dramatike. Ambulanca në gjendje të mjerueshme, pacientë që marrin serum në karrige, vetëm një aparat eko në Urgjencën e QSUT-së, skanerë dhe grafi të prishura, pacientë që presin mbi 24 orë për një shtrat sepse nuk ka vende.
Në reanimacion duhet të humbasë jetën një pacient që të lirohet vendi për tjetrin. Ky nuk është sistem shëndetësor. Ky është dështim shtetëror.
Mijëra qytetarë mbeten peng i listave të pafundme të pritjes.
Mbi 3 mijë persona presin operacionet e syrit. Kardiologjia nuk ka pajisjet e nevojshme dhe radhët për ndërhyrje janë alarmante.
Pacientët e shtruar nuk kryejnë dot analizat pas datës 20 të çdo muaji, ndërsa një pensionisti i duhen deri në dy muaj vetëm për të marrë një diagnozë nëse ndjek sistemin e referimit.
Në Neurologji mungojnë trombektomia dhe arteriografia. Për shumë qytetarë, alternativa është vetëm një: ose të paguajnë privat, ose të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët detyrohen të marrin kredi, të shesin pasuritë apo të kërkojnë ndihmë për të financuar trajtimet në spitale private ose jashtë vendit. Dhe ironia më e madhe është se kjo ndodh ndërkohë që ata paguajnë rreth 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre, pavarësisht taksave dhe sigurimeve që derdhin çdo muaj. Shqiptarët paguajnë dy herë: një herë shtetin dhe një herë për të mbijetuar. Ky është mashtrimi i ashtuquajtur “Shëndetësi Falas”.
Premtimet e qeverisë kanë rezultuar një mashtrim i madh. U premtuan 15 milionë euro për barnat e Onkologjikut por eshte absolutisht i pamjaftueshem per mbuluar nevojat e pacienteve.
Ndërkohë, qeveria nuk kursen asnjë qindarkë për luksin, korrupsionin dhe klientët e saj. Gati 3.8 miliardë euro janë hedhur për rrugë me kosto marramendëse. 450 milionë euro u zhdukën për një incenerator që nuk ekziston. Miliona euro të tjera shkojnë për projekte fasadë dhe luksin e pushtetit. Kryeministri pi verë me vlerë deri në 33 mijë euro shishja, ndërsa grupi i AKSHI-t ka shpenzuar rreth 10 milionë euro të parave publike për çokollata.
Ky është kontrasti i vërtetë i kësaj qeverie: për luksin, propagandën dhe klientët e pushtetit gjenden gjithmonë miliona, ndërsa për ilaçet që shpëtojnë jetë nuk gjendet asnjë euro.
Për pacientët me kancer nuk ka barna. Për të sëmurët me iktus nuk ka trombektomi. Për pensionistët nuk ka analiza. Për familjet shqiptare nuk ka siguri se do të marrin trajtimin që u takon.
Por për luksin e pushtetit ka gjithmonë para.
“Shëndetësia Falas” është mashtrimi më i madh i kësaj qeverie.
Pas çdo slogani fshihen mungesa ilaçesh, pajisjesh, mjekësh dhe shprese. Pas çdo premtimi fshihet një pacient që pret në radhë, një familje që falimenton dhe një jetë që rrezikohet.
Sistemi shëndetësor në degradim të plotë është një rej shumë arsyeve pse prej më shumë se një muaji qindra mijëra qytetarë protestojnë çdo mbrëmje poshtë dritareve të Kryeministrisë. Ajo protestë është zëri i shqiptarëve që refuzojnë një qeveri që zgjedh luksin në vend të jetës, verën 33 mijë euro dhe çokollatat 10 milionë euro në vend të barnave për të sëmurët.
Është zëri i prindërve që nuk pranojnë të shesin shtëpitë për të kuruar fëmijët, i pensionistëve që nuk pranojnë të vdesin në radhë dhe i çdo qytetari që kërkon dinjitet.
Kjo protestë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet, sepse nuk është thjesht një protestë kundër një qeverie. Është një revoltë kundër korrupsionit që vret, kundër shpërdorimit që varfëron dhe kundër një kryeministri që mendon se mund ta trajtojë vendin si plaçkë.
Shqipëria meriton një sistem shëndetësor që shpëton jetë, jo një qeveri që investon në luks, ndërsa i lë qytetarët të luftojnë vetëm për mbijetesë.


