Xhixho: Pr.buxheti 2026 sërish një buxhet për klientët e qeverisë dhe jo për arsimin, as për ekonominë familjare të qytetarëve

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaron se: "Projektbuxheti 2026 është sërish një buxhet për klientët e qeverisë dhe jo për arsimin, për nxënësit, mësuesit dhe as për ekonominë familjare të qytetarëve.
Vetëm 2.5% e PBB-së shkon për arsim – shumë më poshtë se mesatarja e BE-së dhe premtimi i harruar për 5% të PBB-së.
Shqipëria do të vijojë të mbetet e fundit në rajon për buxhetin e arsimit edhe përgjatë vitit 2026. Ndërsa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi investojnë mbi 4%, qeveria e Shqipërisë nuk do t’ia dijë as për mësuesit, as për nxënësit.
60% e fëmijëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë sipas PISA-s, por qeveria vijon me propagandë.
Vetëm 0.2% e PBB-së shkon për infrastrukturën arsimore kur flasim për digjitalizim dhe smartlabe, ndërsa mesatarja e rajonit është 0.8% e PBB-së.
Mësuesit janë harruar, per ta nuk ka rritje reale page, por vetëm indeksim në 12 vite nga kjo qeveri që i la vetëm në kulmin e krizës së çmimeve.
Arsimi profesional mbetet në mjerim me vetëm 0.17% PBB, 70% e fondeve shkojnë për administratë, vetëm 14% për laboratorë, pajisje apo cilësi mësimore.
Universitetet po kthehen në gjimnaze, pa asnjë mbështetje për inovacion apo zhvillim. Në një kohë kur 63% e maturantëve duan të largohen jashtë vendit. Financimi për kërkimin shkencor është vetëm 0.06% e PBB-së, ndërsa mesatarja europiane është 2.2%.
Ky nuk është buxhet për arsimin, por për klientët e qeverisë! 12 miliardë lekë për PPP dhe koncesione, ndërsa fëmijët mësojnë në shkolla pa ngrohje dhe pa kushte. Shqipëria ka nevojë për një buxhet që investon te dija, jo te propaganda. Pa arsim s’ka zhvillim, s’ka ekonomi konkurruese dhe s’ka të ardhme!"


