Xhaçka me Helga Schmid: OSBE, partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar sot një takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE, Helga Schmid.
Pas takimet ministrja Xhaçka dhe Schmid zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp. Xhaçka theksoi se, OSBE mbetet një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë.
“OSBE ka një histori të gjatë në Shqipëri, që fillon në vitin e mbrapshtë 1997, por ajo mbetet ende sot, edhe pse Shqipëria është një realitet krejt tjetër nga ai i 97, një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë që jep një kontribut të rëndësishëm në një sërë kauzash e reformash në vendin tonë”, tha ministrja.
Xhaçka informoi se, një nga temat kryesore të bisedës tonë ishte agresioni i paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Ministrja u shpreh se, “konfirmuam edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se sot më shumë se kurrë, OSBE nevojitet në Ukrainë. Në këtë kontekst, i jemi bashkuar edhe Programit të Mbështetjes së OSBE-së për Ukrainën sepse ajo që ndodh në Ukrainë, ka pasur implikimet e saj në të tre dimensionet e Organizatës”.
Xhaçka theksoi se, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm diplomatik në Këshillin e Sigurimit dhe kudo që ka pasur një zë, për të mbështetur Ukrainën e për të izoluar Rusinë.

