“Vrasja e Ramiz Muçollarit në Maliq nga RENEA duhej të shmangej”, Berisha: Avokati i Popullit të nisë hetimin
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dënuar me ashpërsi, vrasjen nga forcat RENEA në fshatin Qesarakë të Maliqit, të një personi me probleme të shëndetit mendor, i cili kërcënonte me armë nga brenda shtëpisë së tij, pasi kishte plagosur të shoqen dhe të birin.
Berisha theksoi se “vrasja e personit me probleme me shëndetin mendor duhej të shmangej” dhe madje ka kërkuar hetim nga Avokati i Popullit lidhur me këtë ngjarje.
Reagimi i Berishës:
Vrasja e personit me probleme me shëndetin mendor duhej të shmangej. Taulant Bego etj… etj…, nxit vrasjet nga policia.
Të dashur miq, policia ekzekuton Ramiz Muçollarin në papafingon e shtëpisë së tij. Ajo flet për shkëmbim zjarrin në papafingo, pretendim jo bindës!
Muçollari i cili vuante nga shëndeti mendor kishte plagosur më parë gruan dhe djalin me thikë e sende të forta dhe sigurisht ai duhet të dorëzohej. Ai nuk mund të kërcënonte në asnjë rrethanë jetën e policëve.
Por cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës i policëve për vrasjen e tij. Ai plagosi, por nuk mori jetë njeriu.
Duke ditur dhe problemet me shëndetin mendor të viktimës durimi më i madh në rrethim duhej treguar, para se të hynin në papafingo dhe të shkrehnin breshëritë mbi trupin e tij.
Ju uroj shërim të shpejtë gruas dhe djalit të plagosur, dënoj ekzekutimin e tij në rrethana të dyshimta dhe dënoj fort, përgëzimin e Taulant Bego etj., etj., për vrasjen nga policia të një të sëmuri të strukur në papafingon e shtëpisë së tij.
I bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin për këtë vrasje të parandalueshme dhe ndaj Ballës etj etj me përgëzimin e tij cinik ekstrem, inkurajon dhe nxit vrasjet nga policia.