Vjosa Osmani: Zgjedhja e Serbisë është Moska, nga BE ka pasur shumë pak presion
Nga Tirana ku mori pjesë në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja kosovare Vjosa Osmani kërkoi nga Brukseli që ti bëjë më shumë presion Serbisë për çështjen e dialogut, ndërsa e cilësoi qesharake sjelljen e homologut të saj Aleksandër Vuçiç. Ndërkaq ajo kishte dhe një mesazh për kryeministrin Rama që të respektojë vendimin e Kosovës për të mos qenë pjesë e nismës Open Balkan.
Në mbyllje të Samitit në Tiranë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një konference për mediat iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të Rtv Ora lidhur me pjesëmarrjen e Vuçiç në samit si dhe nëse ka kushte shtesë për vijim e dialogut me Serbinë.
Ajo deklaroi se sjellja e presidentit serb ndaj Samitit është thjesht qesharake, ndërsa i kërkoi Brukselit që të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë.
Osmani: Pjesëmarrja e Vuçiç në Samit është tipike sikurse në çdo samit tjetër. Krijon një dramë për të pasur vëmendjen. Një herë thotë vij pastaj nuk vij pasi kështu shpreson të ketë vëmendjen e të tjerëve. Është një qasje qesharake. Vëmendja e vetme të cilën Serbia e ka është vëmendja e një shteti që nuk ka asgjë të bëjë me sundim të ligjit demokraci e vlera evropiane, kjo është Serbia e Vërtetë.
Nga BE ka pasur shumë pak presion nga se do të duhej të kishte në një shtet që hapur thotë se është shteti më së paku evropian nga të gjithë që marrin pjesë këtu dhe më së shumti Rus. Zgjedhja e Serbisë nuk është Europa por është Moska, është Putini, nuk di ku mund të shkojë më qartë.
Vendet e tjera kanë zgjedhur sanksionet ndaj Rusisë, Serbia jo, ka zgjedhur të mirëpres oligark të Rusisë, ka vendosur të nënshkruajë marrëveshje të reja me Gazprom, për të afruar politikën e jashtme me Rusinë. Serbia e ka zgjedhur rrugën ndaj dhe mesazhi i BE presim të jetë më i qartë në aspektin e veprimeve që ndërmerren.
Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Osmani pohoi se nuk ka kushte shtesë nga BE-ja për këtë proces.
Osmani: Nuk ka kushte shtesë, BE është i përkushtuar të vijojë dialogu, për të vijuar plani franko- gjerman. Shumë shpejt mund të vendoset një takim për tu diskutuar propozimi i ri.
Ajo qartësoi edhe njëherë dallimet mes Shqipërisë dhe Kosovës për Open Balkan, duke deklaruar se respektojnë vendimin e Ramës për të qenë pjesë e tij dhe kërkoi që dhe ai të respektojë vendimin e Kosovës për të qëndruar jashtë.
Osmani: Çfarë mund të bëjmë më shumë është të flasim më shumë në mënyrë që nëse ka dallime të tejkalohen. Përtej raporteve vëllazërore, unë i kam quajtur mes motrash se janë shumë më të sinqerta raportet, është e rëndësishme të theksoj se Kosova llogarit në Shqipëri, ne llogarisim shumë në Shqipëri, nëse nuk llogarisim te ju në kë atëherë. Pritja jonë është të kemi sa më shumë kordinim, diskutime dhe përafrim.
Ndërkohë duhet të kuptojmë që dhe ndërmjet motrave, ndërmjet vëllezërve mund të ketë dallime dhe e tillë ka qenë vazhdimisht çështja e Open Balkan. Ne jemi pajtuar me parimin e miqve amerikanë, pajtohemi që nuk pajtohemi.
Ne si Kosovë kemi vlerësuar gjatë dhe kemi vendosur që nuk është në interes të Kosovës të jetë në këtë iniciativë por të jemi në procesin e Berlinit nga i cili tashmë ka shumë rezultate. Por respektojmë vendimin e Shqipërisë që të jetë dhe presim të respektojë vendimin tonë që mos të jemi.
Presidentja Osmani evitoi komentet për marrëdhëniet ndërpersonale me Ramën, duke u fokusuar te marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në këtë aspekt tha se është bërë punë.
Por kërkoi më shumë angazhim të Shqipërisë sa i përket anëtarësimit në Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe qasjes ndaj shteteve që nuk na kanë njohur.

