Vendimi i Apelit për vulën e PD, Sali Berisha mbledh nesër Kryesinë, të dielën Këshillin
Sali Berisha do të mbledhë nesër në orën 12:00 Kryesinë. Mbledhja ka si rend dite diskutimin rreth situatës politike të krijuar pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit për çështje e vulës dhe logos së PD.
Ndërkohë të dielën në orën 17:00 për të njëjtën çështje do të mbledhë Këshillin Kombëtar.
Gjykata e Apelit vendoi sot të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike.
Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.
Kryetar i komanduar në atë kohë u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD, dhe ka të drejtën që brenda ditës së hënë të rregjistrojë këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj.
Ish kryeministri Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra, pak pas shpalljes së vendimit.
Ai foli për një akt, që sipas tij “synon, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.