Veliaj në njësinë 7: Na votuan njësoj si për kryebashkiak dhe për Këshillin bashkiak

Në vazhdimin e takimeve për të falenderuar zgjedhësit, Erion Veliaj ndali në njësinë  7.

Ndër të tjera ai nënvizoi se në kryeqytet, si votat për kryetarin e bashkisë dhe për këshillat e dhëna në favor janë të njëjta.

“Si ka mundësi që për ne votat për kryetarin dhe votat për partinë janë thuajse barazim? Sepse njerëzit e kuptojnë se, po, bashkia ka kryetar, por ky kryetar ka edhe një skuadër që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Si ka mundësi që kundërshtarët tanë jo vetëm marrin 60 mijë vota më pak, por kur vjen puna te votat e partisë ata përgjysmohen edhe njëherë? Sepse njerëzit nuk besojnë as te kandidatit, por nuk besojnë as te ajo skuadër. Fakti që ata nuk kanë përgjigje, jo vetëm pse humbin Tiranën, por edhe pse humbin edhe gjysmën e votave të partisë, do të thotë se ata nuk kanë as kapiten dhe as skuadër. Ne kemi kapiten, kemi Edi Ramën, ne kemi skuadrën e Partisë Socialiste dhe ne kemi një program për Tiranën që ta çojmë vetëm përpara," tha ai.

Për Veliajn mbyllja e fushatës së 14 majit shënon nisjen e garës për zgjedhjet e 2025.

“Një nga arsyet pse fitojmë është se ne nuk presim 3-ditëshin e fundit. Të tjerët e vënë re në minutën e fundit faktin se janë bërë 40 shkolla, janë mbjellë 1 milion pemë dhe janë bërë mijëra rrugë. Ne kujtohemi për njerëzit përditë, i vëmë re nevojat e tyre përditë. Kjo është formula fituese për këtë fushatë dhe çdo fushatë tjetër,” tha ai.

Edhe pse në këshill ka shumicën për të kaluar vendimet, Veliaj apeloi anëtarët e opozitës.

“Ne kemi një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak. Nuk kemi nevojë për numra të tjerë. Por, ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të na bashkohen. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të punojnë. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të çojnë Tiranën përpara. Detyra jonë është t’u themi: hapni sytë, me Saliun do shkoni poshtë e më poshtë”.

EMISIONET