Transport falas, Këlliçi: Bashkisë i kushton 6.8% të buxhetit, i ka paratë. Ja si do çliroj trafikun

Kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, thotë se premtimi i tij për transport falas është totalisht i mundur.

I ftuar në "Ora e Betit" ai tha se kostoja e këtij shërbimi, kaq të domosdoshëm për qytetarët, është 6.8% e buxhetit vjetor të bashkisë.

Pyetje: I ka bashkia e Tiranës paratë për të mundësuar transportin falas?

Këlliçi: Si nuk i ka.Buxheti i bashkisë së Tiranës është 246 mln euro. Transporti shkon rreth 16.8 milion euro në vit. Vetëm 6.8% e buxhetit të bashkisë Tiranë. Kur ka bashkia Tiranë 430 mln euro për koncesione 30 vjeçare për incineratorë që nuk ekzistojnë, kur shpenzon 61% të buxhetit të saj për paga, qoka, qejfe, luks, kancelari, makina e qira, miobilizim zyrash, akomodim, kondicionerë etj si nuk gjen dot 16.8 mln euro për ti shërbyer 200 mijë qytetarëve në ditë.Do të vë dhe një fond tjetër prej 5 mln eurosh në dispozicion çdo vit për investime në stacione autobusi.Do investojmë dhe në modernizimin e flotës, blerjen e autobusëve hibridë për të ulur koston e operimit, shpenzimin e karburantit dhe ndotjen e ambjentit.

Ai tha se ndërtimi i nënkalimit në sheshin "Skënderbej" shërben për të shfryrë 60% të trafikut në zemër të Tiranës.

Këlliçi: Shoqëruar me ndërhyrje në rrugën "Myslim Shyri", rrugën e Durrësit dhe Dibrës dhe heqjen e korsive të biçikletave në këto rrugë  dhe me një korsi të dedikuar për autobusë kjo nismë do ti shërbejë mjaft mirë shfryrjes së trafikut në Tiranë.

ora e betit zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore

EMISIONET