Thirrja e Shkëlzenit në SPAK për çështjen e Mediut, Berisha: Edhe 100 vite të hetojnë… ! Dhe një përgjigje për ambasadën e SHBA-së

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur konferencën e përjavshme me gazetarët, teksa ka komentuar edhe thirrjen e djalit të tij, Shkëlzen Berishës për të dëshmuar në SPAK në lidhje me dosjen e Gërdecit për ish-ministrin Fatmir Mediu.

Berisha u shpreh se nuk mund të ketë asnjë hezitim apo pengesë për asnjë hetim të drejtësisë, pavarësisht deklaratave të tij në vijimësi për SPAK.

Ai shtoi se edhe nëse “hetojnë për 100 vite” aty nuk do gjejnë asnjë lidhje me rastin.

“Në çdo kohë, cilindo. Unë e kam bërë të qartë që s’mund të ketë kurrë hezitim apo pengesë për çdo lloj hetimi. Nëse mbaj qëndrime dhe denoncime ato i bëj për interesin publik, jo për qëllime të tjera. Edhe 100 vite po të hetojnë aty nuk do gjejnë asnjë gjë.”, u shpreh Berisha.

Po ashtu, ish-kryeministri u pyet edhe për deklaratën e një dite më parë të ambasadës amerikane, e cila u shpreh se nuk ka ndryshuar qëndrim për personat non-grata në Shqipëri. 

Berisha tha se frymëzohet nga Martin Luter King që sipas Berishës luftonte për të vërtetën.

"Gjysma e mesazhit thotë që SHBA nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të partive, është pikërisht kjo që unë përshëndes. Nëse ka një njeri që ka bërë në 32 vite çdo përpjekje që shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre njerëzit, është Sali Berisha. Do tu rrëfej një gjë shumë private. çdo njeri ka idhujt e vet.

Idhulli i jetës time ka qenë Martin Luter King. kur unë kam gjetur tezat dhe shkrimet në diktaturë, ai më ka impresionuar dhe më ka ndikuar. Ai frymëzonte çdo njeri që lufton për të vërtetën.

Kjo është përgjigjja për mesazhin. Për të tjerat mund tu them se dita e djeshme u karakterizua nga shfaqje të shëmtuara në Parlament, nga përpjekje të Edi Ramës për të caktuar kryetarin e grupit parlamentar, për të shkelmuar ligjin themelor të Parlamentit, për të caktuar bashkëkryetarin e opozitës në Komisionin Zgjedhor.

Dhe kë do merrte ai aty? Burrin që voton për rrogën e gruas. Rritja e rrogës së gruas sa 117 pensionistë. Pa votat e AliBashës ligji nuk kalon. Problemi është se po bëhet pazar votash për të vendosur një standard që nuk ekziston kund në botë", u shpreh Sali Berisha.

EMISIONET