Takimet e Salianjit, Berisha: Çdo aktivitet jashtë forumeve është privat, pa asnjë lidhje me PD-në!
Lideri i opozitës, Sali Berisha, sqaron se çdo aktivitet jashtë forumeve zyrtare të Partisë Demokratike është privat dhe nuk ka asnjë lidhje me PD-në.
Berisha theksoi se partia funksionon sipas statutit dhe institucioneve të saj, duke siguruar një debat të hapur për çdo anëtar dhe drejtues, ndërsa çdo takim jashtë strukturave zyrtare është në interes personal të organizatorëve dhe nuk përfaqëson qëndrimet e PD-së.
"Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në. PD është parti me statut, me institucione, me forume.
PD ka dhe do të ketë, ka filluar mbledhjen e forumeve, ka filluar debatin dhe do jetë debat i hapur për cilindo anëtar dhe drejtues. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë", tha Berisha.
LISTAT E MBYLLURA
Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se listat e mbyllura nuk përfaqësonin një sistem më të mirë dhe se ky model u imponua nga kryeministri Edi Rama.
Berisha theksoi se sistemi u deformua thellësisht që në vitin 2021 nga qeveria aktuale, duke e bërë të pamundur një përfaqësim më të drejtë.
"Absolutisht nuk ishin kurrë më të mira. Pa diskutim. Po ky sistem u imponua nga Edi Rama. Sistemi është deformuar në palcë në vitin 2021 nga Edi Rama. Nuk ka diskutim", u shpreh Berisha.
AVOKATI I POPULLIT
"PD ka vendosur të mbështesë kandidaturat e saj që ajo beson se e përmbushin më mirë këtë funksion.
Pra, firmat mund të jenë dhënë, por ne mbështesim disa kandidatura, i kemi të përcaktuara dhe grupi parlamentar do i mësojë sot, të cilat ne besojmë se e kryejnë më mirë atë detyrë", u shpreh kryemokrati Sali Berisha.


