SPAK heq dorë nga “21 janari”: Kallëzimin e PS-së ta shqyrtojë Prokuroria e Tiranës
Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompetencë për dy kallëzimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit.
“Kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” referuar ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011. Dialogjet e bëra publike midis ekzekutorëve, e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale, e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin për Gardën e Republikës“- deklaroi më 25 janar Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri teksa bëri publike kallëzimin.
Pas shqyrtimit të materialeve, SPAK i kaloi kallëzimet Prokurorisë se Tiranës.
Kjo e fundit deklaroi pak ditë pas përvjetorit të 21 Janarit, se kishte në hetim episodet e vrasjes së Aleks Nikës e Hekuran Dedës dhe se ka përfshirë në këtë çështje, edhe të dhënat e reja të dala së fundi në publik që lidhen me komunikimet në radio mes gardistëve.
Në datat 22 dhe 23 janar, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Partia Socialiste, dërguan në SPAK kallëzime penale ku akuzonin Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si urdhërues të të shtënave me armë ndaj protestuesve.
Prokuroria e Tiranës reagoi në datën 23 janar, duke theksuar se në vitin 2021 është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda.
Gjykata e Tiranës në vitin 2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të ish gardistit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”.
Organi i akuzës theksoi se për këtë procedim penal, janë ngarkuar Oficerët e Policisë Tiranë.
Ata krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve, do të kryejnë edhe veprimet hetimore të deleguara në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara nga gazetari Artan Hoxha në datën 20.01.2023.
Në këtë material flitet për komunikimet e dyshuara mes gardistëve dhe ish-komandantit Ndrea Prendi më 21 janar 2011.