"S'kam aq fuqi sa të lëviz qeverinë", Berisha: Ahmetaj mëkatar, por këtu kishte të drejtë

Rrëfimet dhe deklaratat në media të ish-zëvëndës kryeministrit Arben Ahmetaj, kryetari i  PD-së Sali Berisha i cilësoi si beteja të ashpra me Kryeministrin Edi Rama.

Në konferencën për shtyp ai theksoi se të dy janë përfshirë në aferën e incineratorëve por shtoi se tani po kërcënojnë dhe shantazhojnë njëri-tjetrin.

Por jo vetëm kaq, Sali Berisha thotë se Arben Ahmetaj, e shiti edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i listuar shkeljet në aferën e inceneratorëve.

Sali Berisha: Përgjegjësia absolute për aferën e inceneratorëve, ka vetëm një emër; Edi Rama! Arben Ahmetaj iu tha shqiptarëve dje të njëjtën gjë; nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëvizja qeverinë. Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ai ka të drejtë.

Kam qenë kryeministër, dhe qeverinë mund ta lëvizë vetëm ai, kryeministri. S’ka tjetër përveç tij që të mbledhë 17 dokumente për 24 orë. Siç ka ndodhur. Askush nuk mund të lëvizë të gjitha zyrat e administratës, për të grumbulluar dokumente, apo 17 dokumente të firmosura në një ditë. Çfarë tregon kjo?!

Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë ju them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën. Mos bëj gjykatësin i tha Edi Ramës. Ai zgjodhi këtë argument në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë. Arben Ahmetaj është i implikuar, nuk ka diskutim, ua them unë ju, por njëshi në distancë nga të gjithë të tjerët është Edi Rama.

Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme.

Një kryeministër e firmos këtë kontratë vetëm kur e ka personale, kur ai është i verbuar nga pasuria që mund të grabisë me këtë kontratë dhe harron çdo gjë. Pushteti i çdo kryeministri mbaron aty ku fillon ligji dhe Edi Rama nuk thotë dot që nuk e dija sepse Edmond Ahmetaj ia çoi dy herë me shkrim. Kjo metodë e negociatave të mbyllura nuk ekziston në ligjin shqiptar dhe nuk praktikohet.”, tha Berisha.

Sa i përket pikëpyetjes nëse vetë Ahmetaj ka firmosur apo jo, Berisha shton se në incineratorin e Fierit dhe Elbasanit nuk ka dokumente të firmosura, por solli në vëmendje kalimin e parave nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Duke folur përballë gazetarëve mbi zhvillimet në Partinë Demokratike, Sali Berisha akuzon serish Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibejn si mjeran që kontrollohen nga Edi Rama.

EMISIONET