Shtyhet seanca e Ramës për “McGonigal” edhe me 1 javë. 6 deputetë të PD-së sot në Komisionin e Etikës
Socialistët kanë gjetur një mënyrë origjinale për të shpëtuar kryetarin e tyre Edi Rama nga llogaridhënia para Kuvendit për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e lartë të arrestuar të FBI-së, Charles McGonogal të akuzuar nga drejtësia amerikane se ka marrë financime ruse dhe agjenturë të dyfishtë.
Zgjatja e agonisë së përballjes me shpresën se me kalimin e ditëve kjo çështje do të zbehet ka ardhur nga Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila ka anuluar seancën plenare të kësaj të enjteje me argumentin se kjo javë është “Javë e gjelbër” dhe, sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, deputetët janë në zonat zgjedhore për takime me zgjedhësit.
“Ju njoftojme se, sipas kalendarit të punës së Kuvendit, të enjten, në datën 9 shkurt, nuk do të zhvillohet seancë plenare. Kjo javë është “javë e gjelbër” dhe deputetet janë në zonat zgjedhore për takime me zgjedhësit. Për seancën plenare të radhës do të keni një njoftim tjetër”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkaq gjatë do të mblidhet sot Komisioni i Votimit dhe Etikës, për të diskutuar kërkesën e shtatë deputetëve të Partisë Socialiste për përjashtimin e tetë kolegëve të tyre demokratë për 10 ditë nga seancat plenare.
Sipas socialistëve, deputetët e PD-së me veprimet e tyre në seancën efundit plenare kanë penguar zhvillimet në Kuvend.
Mësohet se në mbledhjen që pritet të nisë në orën 10:00 do të jenë të pranishëm 6 deputetë të PD-së për të cilët është kërkuar përjashtimi.
Kujtojmë se përjashtim është kërkuar për; Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianji, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati.