“Shtet sponsor i ter*orrizmit”, Shqipëria renditet krah aleatëve kundër Iranit, gati rezoluta për votim në Kuvend
Shqipëria do të shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare të regjimit dhe lëvizjen Hezbollah si organizata terroriste. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi vendimin, duke e rreshtuar Shqipërinë krah aleatëve strategjikë, ndërsa rezoluta tashmë është në Kuvend.
Edi Rama deklaron se “javën që vjen, Parlamenti do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, shtet sponsor të terrorizmit”.
“Dhe bashkë me këtë do të shpallet organizatë terroriste Garda e Iranit dhe Hezbollahu. Natyrisht, në këto hapa nuk jemi pionerë sepse ka pasur më parë aleatë që i kanë hedhur, por është koha që ta bëjmë edhe ne këtë gjë”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë paralajmëroi se duke u nisur nga rritja e çmimit të naftës si pasojë e luftës në Iran, po mendohet për krijimin e një faktori shtetëror në tregun e naftës.
“Kriza po shfaqet në të gjithë botën, edhe në Shqipëri si rezultat i rritjes së çmimit të naftës. Një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktori shtetëror, për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Kishim aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka më të suksesshmin e Ballkanit. Sot, nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, por Tirana. Dhe kjo është arritje e kësaj qeverie, megjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi kështu vendimin që e rreshton Shqipërinë krah Aleateve strategjike që kanë marrë vendime të ngjashme.
Në kohë reale, Taulant Balla konfirmoi se ka dorëzuar në emër të grupit të PS, draftin e rezolutës për të cilën mazhoranca qeverisëse synon mbështetje me votë në kuvend pa dallim politike
Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin që në vazhdimësi ka ndërmarrë ndaj vendit tonë sulme kibernetike, ku më i fundit ishte ai ndaj sistemit të parlamentit.
Ndërkohë ministri i Jashtëm në një seancë dëgjimore në parlament dha të dhëna zyrtare për numrin e shqiptarëve të prekur nga lufta në lindjen e mesme.
Theksoi se 138 persona kanë pasur interes për t’u larguar prej atje.
Duke u ndalur tek shqiptarët në Iran Ministri Ferit Hoxhaj tha se është dashur një punë e vështirë për të ofruar ndihmë.
Hoxha u shpreh se regjimi i Iranit nuk është ndalur ndonjëherë në sulmet ndaj Shqipërisë, duke iu referuar sulmeve kibernetike.
Kryeministri dhe shefi I diplomacisë shqiptarë konfirmuan qëndrimin e Shqipërisë të unifikuar me aleatet strategjike për ccështjen e sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, dhe mbështetjen për vendet mike në rajonin e Lindjes së Mesme
REZOLUTA
Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste.
Kuvendi i Shqipërisë,
Duke qenë se Republika e Shqipërisë është fuqimisht e përkushtuar ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;
Duke qenë se terrorizmi në të gjitha format dhe shfaqjet e tij përbën një nga kërcënimet më serioze ndaj paqes ndërkombëtare, sigurisë dhe shoqërive demokratike;
Duke qenë se raporte të besueshme dhe vlerësime ndërkombëtare kanë dokumentuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen e autoriteteve të Republikës Islamike të Iranit në financimin, trajnimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve dhe organizatave të armatosura jo-shtetërore të shpallura si entitete terroriste në disa rajone;
Duke qenë se Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, i atribuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë;
Duke qenë se aktet e dhunës dhe të agresionit, përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe shteteve sovrane përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mund të përbëjnë forma të terrorizmit;
Duke qenë se përdorimi sistematik i frikësimit, i grupeve të armatosura proxy, si dhe i mjeteve hibride për të përhapur frikë dhe destabilizim është i papajtueshëm me normat e marrëdhënieve paqësore ndërkombëtare;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka në themel të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë parimet e solidaritetit demokratik, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar;
Duke qenë se populli dhe institucionet shqiptare mbeten të përkushtuara në luftën kundër terrorizmit në të gjitha format e tij dhe në mbajtjen përgjegjës të atyre që sponsorizojnë ose kryejnë akte terrori;
Kuvendi i Shqipërisë:
1.Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
2.Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.
3.Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.
4.Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.
5.I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që :
– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,
– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
6.U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
7.Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.
8.Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.



